Kryeministri Albin Kurti konfirmoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se KE ka përgatitur një listë me sanksione ndaj Kosovës, të cilat iu prezantuan një ditë më parë Parlamentit Europian.
Ndonëse nuk i komentoi këto masa, kreu i qeverisë tha se Kosova do të vijojë të mbetet një partner i besueshëm i vlerave europiane.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. BE te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropianeve, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti u shpreh se ka besim te BE dhe citoi raportin e fundit për Kosovën, i cili sipas tij qe pozitiv.
“Raporti i fundit për vendin tonë i hartuar nga KE e përshkruan dhe e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë. Si në luftën kundër korrupsionit, si në demokratizimin, zhvillim ekonomik ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore. Aty e gjejmë hijen e vërtet të BE-së si organizëm mbi kombëtar, i drejtë dhe meritokratë dhe pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim. Sepse Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë”, tha kryeministri.
/f.stafa