Kryeministri i vendit Edi Rama ishte i ftuar në studion e Enkel Demit në emisionin “Shih Programin” në Televizionin Shqiptar ku foli për reformën në drejtësi.
Kreu i qeverisë nuk preferoi të komentonte opinionin e Komisionit të Venecias teksa tha se “Nëse duam reformë reale politika duhet të bëjë një hap prapa. Dhe faktikisht duke i qëndruar këtij qëndrimi besoj kam dhënë kontribut modest për të mos e deformuar procesin, dhe për të mos e deformuar përmbajtjen”.
Më tej kryeminsitri Rama tha se po synohet që reforma të miratohet duke gjetur konsensusin e opozitës. I pyetur për hapat që do të ndiqen nëse nuk gjendet konsensusi me opozitën, Rama tha se nuk do ta bëjë këtë parashikim, por gjithsesi pranoi se ka një plan B të cilin nuk deshi ta sqarojë.
“Ne synojmë të miratojmë reformën me konsensus. Ky është plani A. Nëse kjo dështon atëherë kalojmë në planin B”, tha Rama.
Ndërsa duke folur për Byronë Kombëtare të Hetimit, Rama theksoi se, “Byroja e Hetimit e ndërmjetësuar nga amerikanët nuk varej nga Policia por prania e Prokurorisë ishte vendimtare. Thelbi është që kjo reformë do sjellë një tronditje të sistemit të drejtësisë”.
Rama tha se nuk ka çfarë të rinegociohet për Byronë Kombëtare të Hetimit. “Do bëhet një proces në komisionin e reformës dhe në atë proces sigurisht që do ketë takime. Ne do synojmë dakortësi me opozitën dhe nuk do fillojmë me planin B por do synojmë planin A, me dakortësi”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama ka komentuar dhe incidentin e ndodhur gjatë seancës së fundit parlamentare. Në këtë seancë deputetët e opozitës e qëlluan atë me vezë për shkak të prezencës së deputetit Armando Prenga në sallë.
“Duhet të pyesni ata që e bënë sepse ajo që ndodhi nuk ka të bëjmë me Partinë Socialiste. Armando Prenga është përjashtuar nga PS. Se kush janë fajtorët dhe kush janë të pafajshmit i takon gjykatës”, tha Rama.
“Për sa na takon neve, Armando Prenga nuk ka asnjë lidhje me ne. Nuk kam asnjë kriminel në listën e deputetëve të PS-së. Para kandidimit u kam kërkuar dëshmi penaliteti.”
Rama, tha se ishte pikërisht mazhoranca që e shtyu procesin e dekriminalizimit në binaret e një reforme. “Ne e shtymë procesin e dekriminalizimit në binaret e një reforme. As Prenga dhe as Doshi në momentin kur janë përjashtuar s’kanë qenë të paragjykuar në asnjë shkallë. PD do vetëm të baltosë sa më shumë kundërshtarin”, është shprehur kryeministri.