Të dhënat e Institutit të Statistikave po dëshmojnë për prirje negative në ekonomi: rënie eksportesh, por edhe importi. Bilanci është negativ sidomos në eksporte që mendohet se buron nga rënia e çmimeve të naftës dhe të mineraleve në tregjet e huaja. “Për janarin e 2016-ës, rënia e eksporteve shqiptare arriti vlerat -7.8%, e krahasuar me dhjetorin, ulja thellohet me – 8.1%.
Instituti i Statistikave raporton se tre grupet, të cilat kanë pësuar rënien më të madhe, janë ato të cilat kanë dhe efektet më të mëdha në ekonomi: minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike kanë rënë me 9%, materiale ndërtimi dhe metale me 6.4% dhe makineri pajisje me 1.3%”, raporton Vizion Plus.
Rënia e importeve është më e ulët, 1.5% në shkallë vjetore dhe një analizë e menjëhershme lidhet me rënien e konsumit. Ngjan si një reakison zinxhir i cili nuk po nxit asgjë të mirë në ekonomi, e cila vuan edhe nga mungesa e investimeve. Të dhënat e INSTAT-it vijnë në të kundërt me deklarimet e kryeministrit në Samitin e BERZH-it pak ditë më parë, kur ai shprehej se ekonomia e ka lënë pas krizën dhe se modeli ekonomik ka ndryshuar, për të kaluar drejt një ekonomie eksporti.
Rritje eksportesh kanë njohur prodhimet bujqësore, por sektorë si ai i minierave kanë shumë probleme që lidhen me tregun e huaj. Dy ditë më parë u bë e ditur se qeveria do të ndërhyjë me një paketë prej 4 milionë eurosh në vit për të mos lejuar që kjo industri të falimentojë. Është menduar edhe ndihma përmes politikës fiskale, si përgjysmimi i rentës etj..Gjithë një përpjekje për të ruajtir status quonë e aktiviteteve ekonomike si konservues punësimi më shumë sesa nxitësh zhvillimi.