Një 36-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi merrej me transport të lëndëve narkotike të përpunuar duke u kamuflua si shofer furgoni për transport të qytetarëve Tiranë – Klos – Tiranë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis të përpunuar në formë çokollate.
Njoftimi i policisë:
DVP Dibër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kamuflimi”.
Merrej me transport e shpërndarje të lëndës narkotike të përpunuar duke u kamufluar si shofer furgoni për transport të qytetarëve Tiranë-Klos-Tiranë, vihet në prangat e Policisë 36- vjeçari nga Tirana.
Sekuestrohen 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis të përpunuar në formë çokollate.
Në zbatim të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogërave në sasi të vogla, bazuar në inteligjencën policore, se një drejtues furgoni që merrej me transport pasagjerësh, ushtronte edhe veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave kanabis në formë çokollate dhe të drogave të forta në sasi të vogla, shërbimet e Policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Kamuflimi”.
Në kaudër të operacionit Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Dibër, në vendin e quajtur ura e fshatit, Fshat, në Klos, kanë ndërhyrë në mënyrë të befasishme duke bllokuar furgonin që drejtohej nga 36-vjeçari nga Tirana, ku dyshohej se transportohej lënda narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyshemenë e sediljes së shoferit, shërbimet e policisë gjetën një kuti , ku brenda saj kishte 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis sativa, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë rreth 1 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga informacionet e grumbulluara më parë dyshohet se ky shtetas duke u kamufluar si shofer për transport pasagjerësh, në linjën Tiranë -Klos -Tiranë, merrte lëndë narkotike në Tiranë, kryesisht kanabis të përpunuar por edhe droga të forta në sasi të vogla me qëllim shitjen e saj dhe ua shiste personave të ndryshëm, ku shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Y.D., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale..
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
/a.r