Kyriakos Mitsotakis do të jetë kryeministër i Greqisë edhe për 4 vite të tjera. ‘Demokracia e Re’ triumfoi në zgjedhjet e parakohshme të së Dielës, duke siguruar 158 deputetë, po aq sa ç’kishte në mandatin e parë qeverisës të 4 viteve të kaluara dhe tashmë mund ta krijojë e vetme qeverinë e re, pa qenë nevoja e koalicioneve paszgjedhore.
Partia e qendrës së djathtë mori 50 deputetë shtesë, maksimumin e bonusit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për fituesin e zgjedhjeve të ripërsëritura, kur grupimi politik që renditet i pari siguron mbi 40% të votave. Demokracia e re ka tashmë 12 deputetë më shumë se në zgjedhjet e 21 Majit.
Rënie të numrit të deputetëve kanë të gjitha partitë e tjera që hynë në parlament, në zgjedhjet e muajit të kaluar, ku më e dëmtuara për shkak të llogaritjes së mandateve me bonusin për fituesin është Siriza, e cila u rendit e dyta, por që ka marrë 23 deputetë më pak. Ekstremet politike marrin më tepër deputetë.
Surprizë e këtyre zgjedhjeve është partia e djathë radikale e Spartanëve që u formua këtë muaj dhe siguroi 12 deputetë, partia konservatore ortodokse e Fitores dhe radikalët e majtë të Kursit të Lirisë. Në parlamentin e ri përfaqësohen 8 parti.
/f.stafa