Një sasi prej 4 miliardësh rubla ruse, rreth 44 milionë euro të konvertuara, dhe lingota ari janë gjetur në një hotel të themeluesit të Wagner Yevgeny Prigozhin në Shën Petersburg nga forcat ruse të sigurisë.
Lajmi është bërë i ditur nga media ruse “Fontanka”, që raporton se ato janë gjetur brenda një furgoni të bardhë të parkuar në hotelit Trezzini në Shën Petersburg, ku besohet se Prigozhin ka një zyrë. Media ruse raporton se forcat e sigurisë kishin kontrolluar furgonin me dyshimin e lëndëve shpërthyese në të, por më pas kanë arritur të zbulojnë paratë dhe arin e paketuar në kuti.
Edhe pse Prigozhin ndali rebelimin e tij një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se trazirat e shkaktuara nga sfida e paprecedentë ndaj autoritetit të Presidentit Vladimir Putin mund të mos kenë përfunduar ende dhe mund të duhen javë ose muaj për t’u zhvilluar.
“Ky është vetëm një kapitull i shtuar në një libër shumë, shumë të keq që Putin ka shkruar për Rusinë. Por ajo që është kaq e habitshme në lidhje me të është se kjo po i vjen nga brenda”, i tha Blinken CNN.
“Fakti që dikush nga brenda vë në dyshim autoritetin e Putinit, vë në pikëpyetje drejtpërdrejt premisat mbi të cilat ai filloi këtë agresion kundër Ukrainës, është diçka shumë, shumë e fuqishme”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, megjithë pikëpyetjet që ende qëndrojnë.
I pyetur nëse ky është fillimi i fundit për Vladimir Putin, Blinken tha se nuk donte te spekulonte. “Ne kemi parë që agresioni kundër Ukrainës është bërë një dështim strategjik. Rusia tani është aq e shpërqendruar sa Putin duhet të shqetësohet për atë që po ndodhë brenda në Rusi po aq sa për atë që po përpiqet të bëjë në mënyrë të padukshme në Ukrainë’’, tha Blinken ne intervistën e tij për CNN.
/a.r