Nga Denis Dyrnjaja
Personalisht kam qenë ndër pak zëra që kam kërkuar përballjen e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj me ligjin. Jo për t’u kënaqur psiqikisht se duhet të shkojë domosdoshmërisht një zyrtar në burg, por sepse duhet vendosur një standard në raport me ligjin dhe barazinë para tij. Por ama barazia para ligjit nuk duhet kthyer në qëllim në vetvete që të merren e akuzohen, gjykohen apo dënohen me patjetër dhe pa prova persona vetëm pse ka një etje publike, që dikush të bëhet viktimë dhe “diajtë të qeshin” e populli të argëtohet ose mbushë pangopësinë me gjyqe linçuese ndaj një individi, se pastaj nuk dimë ku fillon e ku mbaron e drejta e çdokujt, nuk dimë nëse jemi në demokraci apo në diktaturë, ku vendimet i merr emotiviteti dhe jo objektiviteti, i merr Maliqi, e jo ligji.
Thënë kjo Arben Ahmetaj u thirr se fundi nga Prokuroria e Posaçme “SPAK”, deri më tash sa dihet si person nën hetim. Vetë Ahmetaj me qetësi hyri e me qetësi doli prej godinës së qelqtë, që prodhon një ftohtësi të tejskajshme edhe në këto ditë të nxehta vere. Studiot televizive zhurmuan menjëherë me lajmin e ditës. Arben Ahmetaj në SPAK. Arben Ahmetaj nën akuzë për inceneratorët, Arben Ahmetaj tani përballet me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre e bla bla bla. Të gjitha fantazi mediatike që ngopin epshin publik duke krijuar pritshmëri të rreme për situatën reale. Të parët më të painformuar dhe më shumë se të painformuar duket se janë të paditur, janë gazetarët sidomos kur bëhet fjalë për çështje me karakter procedural penal e aq më shumë për çështje të ndërthurura administrative në kohë e në vite, ku implikohen shumë institucione e persona.
Për të rendur drejt lajmit të bujshëm, gëluan raportime kontradiktore dhe kryesisht spekulative. Disa thonin është nën akuzë, madje artikulonin edhe akuza konrete, të tjerë thonin Arben Ahmetaj tani është person në hetim, duke kujtuar se kanë bërë ndonjë zbulim, kur ndërkohë nën hetim mund të jetë gati a më shumë se gjysma e qeverisë. Të tjerë thonë se SPAK-u po përdor dy standarde në raport me disa zyrtarë, duke pretenduar për masa sigurimi që nuk përputhen me përgjegjësinë dhe rrezikshmërinë gjithashtu të personit nën hetim. Por çfarë tregojnë faktet deri më sot në lidhje me Arben Ahmetajn?
1) SPAK-u e ka nën hetim Arben Ahmetajn, por jo nën akuzë. Nëse do ta kishte nën akuzë do t’i kishte komunikuar një masë sigurimi, ose mënyrën sesi ai do të hetohet dhe më çfarë statusi paraqitet para prokurorisë.
2) Fakti që Arben Ahmetaj shkoi, u pyet e dha shpjegime para prokurorëve të SPAK-ut për inceneratorët dhe gjithçka tjetër në lidhje me këtë proces, veprimtarinë e tij si anëtar i qeverisë dhe pasurinë e tij, nuk e vë atë automatikisht nën akuzë dhe përgjegjësi penale. Ahmetaj vijon të gëzojë të gjithë të drejtat si qytetar i lirë i Republikës së Shqipërisë.
3) Prokurorëve të SPAK-ut i takon të provojnë me fakte, jo me hamendje apo dëshirat tona implikimin e Arben Ahmetajt në procesin e skemës së inceneratorëve. Nëse nuk e provojnë këtë lidhje e cila mesa duket deri sot nuk është provuar se mungojnë provat mes lidhjes shkak/pasojë të vendimeve të Ahmetajt në pozitën e tij zyrtare, do të thotë se ai nuk mund të merret si i pandehur dhe nën akuzë përveç rastit kur ai është bërë shënjestër e kurbanit politik që dikush është i interesuar të bëjë në emër të drejtësisë.
4) Nëse Arben Ahmetaj vihet pa prova nën akuzë dhe me deduksion dëshirash nga grupe interesi, atëherë kjo nuk është më drejtësi, por gjueti, gjueti shtrigash. Dhe SPAK-u rrjedhimisht del se nuk po vepron si prokurori publike, por si prokurori private, në interes të klaneve politike.
5) Nëse do të vendosej në pozitë penale Arben Ahmetaj, atëherë para tij në bankën e drejtësisë dhe në derën e prokurorisë do të duhet të shkojë Edi Rama si titullar i qeverisë. Emergjencën mjedisore nga plehrat nuk e shpalli Arben Ahmetaj, por Edi Rama. Promovimin dhe mbrojtjen e inceneratorëve me shumë se kushdo e bëri dje dhe vijon ta bëjë edhe sot Edi Rama, jo Arben Ahmetaj. Firmat në vendime fap, fap, fap nuk i ka hedhur Arben Ahmetaj, por Edi Rama. Atëherë përse qenka i fajshëm Arben Ahmetaj dhe jo Edi Rama?!
Pretenca politike që Edi Rama i bëri bashkëpunëtorit të tij më të afërt për shumë vite më radhë në mënyrë parakohshme ishte mënyra më e gabuar për të hedhur dritë e bërë drejtësi për inceneratorët. Ishte një orientim i qëllimshëm në rastin më të keq e i nxituar në rastin më të mirë. Tani SPAK-u ndodhet para një sprove të rëndësishme të integritetit profesional dhe ligjor, ku duhet të tregojë se prova dhe vetëm prova është ajo që duhet, për të bërë e dhënë drejtësi. Nëse nuk është në gjendje të provojë me fakte fajësinë e çdo individi sipas përkatësisë në çështjen e inceneratorëve, atëherë duhet të shfaqë integritet institucional dhe profesional për të treguar se jemi në demokraci e jo të komandokraci, ku çfarë kërkon populli, bën partia e çfarë thotë partia bën populli. SPAK-u nuk mund të sillet, as si popull, as si parti politike, apo strukturë politike e komanduar nga kombëtaret apo ndërkombëtarët. SPAK-u duhet të komandohet vetëm nga ligji dhe të veprojë vetëm në bazë të ligjit. Çdo akt tjetër nuk është më gjykim penalist, por gjykim populist.