Mjekja shqiptare Aurora Dollenbeg ishte e ftuar në një intervistë në Euronews Albania, për të folur rreth ligjit të ri të vendosur për studentët e mjekësisë. Dollenbeg është larguar nga Shqipëria 10 vite më parë për të ushtruar profesionin e saj në Gjermani. Megjithatë ajo tha se nëse kushtet do të kishin qenë të favorshme këtu do të kishte qëndruar.
“Ikja ime para 10 viteve në Gjermani, ka qenë jo vetëm e imja, por ka qenë thuajse një brez i tërë që u largua. Unë kam qenë e para që kam hapur lajmin në Shqipëri që në Gjermani ishte i mundur punësimi. Mund ta quaj veten fajtore për këtë eksod, por pse u bëmë fajtor ndaj vendit tonë?
Në ato kushte që ne ishim në fillim dhe kur akoma nuk ishin hapur konkurrimet për specializim, ishte një konkurrencë e jashtëzakonshme. Shumë breza, nëse fakulteti i mjekësisë prodhon rreth 300 mjekë në vit, ne ishim rreth 5 vite që ishin akumuluar, pra ishte një konkurrencë shumë e madhe për shumë pak vende specializimi dhe kushtet e tjera dihen, rrogat ishin shumë të ulta”,-tha mjekja Aurora Dollenbeg.
E pytur nëse do kishte qëndruar në Shqipëri po t’i ishin dhënë kushtet, mjekja tha se pa dyshim ajo do kishte qëndruar, madje sipas saj ajo do kishte pranuar të punonte edhe më 200 euro, por në atë kohë konkurrenca ishte shumë e madhe, ndaj dhe u largua jashtë vendit.
“Unë do kisha qenë dakord edhe për një vend punë me 200 euro vetëm që të startoja, se si një mjeke e re ti ke nevojë fillimisht që të marrësh eksperiencë, pastaj të bësh karrierë, por në atë periudhë ishte konkurrencë shumë e lartë, ndërsa në këto momente Shqipëria po lufton për t’i mbajtur mjekët”-tha presidentja e federatës së mjekëve shqiptarë në Europë./m.j