Nga Dr. Miltiadh Vevecka – Anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Mjekëve të Shqipërisë
Më 20 qershor 2023 studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë zhvilluan një demonstratë proteste, motivi i të cilës ishte anullimi i vendimit të Qeverisë që mjekët e rinjë të mos largohen prej Shqipërisë, pa punuar 3 vjet pas përfundimit të studimeve. Deklaratat para ekranit të disave prej protestuesve konsistonin në pretendimin se vendimi i Qeverisë cënonka të drejtën e lirisë së lëvizjes në demokraci dhe se ata nuk pajtoheshin me këtë vendim, se nuk ishin dakort të shlyenin detyrimin financiar etj…-por asgjë e thënë prej tyre nuk tingëllonte bindëse dhe ishte emocionale.
Largimi i shqiptarëve që filloi masivisht në korrik 1990 dhe vazhdoi në vitet pasuese, u shoqërua në atë kohë, ndërmjet shumë shtresave të popullatës, edhe nga largimi i mjekëve. Por në ato vite largimi i mjekëve ishte shumë i pakët, sporadik dhe jo rallë me rikthim të tyre në atdhe. Shkaku i kësaj rrjedhjeje të pakët të mjekëve ishte sepse cdo vend në Perëndim kufizonte deri në ndalim të rreptë të njohjes së diplomës së mjekëve të huaj, ndër to dhe shqiptare. Mosnjohja e diplomës së mjekëve të huaj është një politikë mbrojtjeje e këtyre vendeve nga ekspansioni mjekësor i jashtëm. Edhe sot në SHBA, Itali, Francë, Austri etj.- mjekët e huaj nuk lejohen të ushtrojnë profesionin, pa iu nënshtruar rregullave strikte që fillojnë së pari me dhënien e provimeve sipas standarteve të larta mjekësore.
Por cfarë ndodhi që gjatë viteve 2010 Gjermania hapi dyert për mjekët e huaj, vetëm me kushtin e njohjes deri në njëfarë mase të gjuhës gjermane, pa iu nënshtruar rregullave strikte të sipërpërmëndura dhe që solli vërshimin e qindra, mijra mjekëve të huaj, ndër ta edhe shqiptarë, drejt këtij vëndi të fuqishëm? Arsyeja e hapjes së këtyre dyerve në Gjermani, ishte dhe është dalja masive në pension e mjekëve të vjetër dhe vështirësia në zëvëndësimin në përmasat e duhura me mjekë të rinj, të diplomuar në shkollat mjekësore gjermane. Këtu, duket se ka mundësi që të rinjtë gjermane të mos e preferojnë, sikurse paraardhësit e tyre të plakur gjermanë, profesionin e vështirë të mjekut, i cili sic dihet, është më tepër “mision sesa profesion”, me shërbimet pa orar ditën dhe natën, përjetimin e vuajtjeve të të sëmurëve, sukseset dhe mossukseset e shërimit të tyre, zhgënjimet dhe pakënaqësitë e familjarëve etj.
Në vitet e fundit, përjashto vitet e pandemisë së koronavirusit, janë larguar nga Shqipëria në Gjermani disa qindra mjekë, vetëm nga qarku i Beratit rreth 30 mjekë, ndër 170 që kishte Berati, Kucova dhe Skrapari. Shumica e tyre janë mjekë të rinjë të përgjithshëm, më parë të punësuar në qendrat shëndetësore të fshatrave dhe qyteteve dhe më me pakicë mjekë të specializuar kardiologë, pneumologë, radiologë, neurologë, psikiatër, kirurgë etj. Këta mjekë kanë zenë vendpune në Gjermani në spitale periferike geriartrike, qendra shëndetësore të fshatrave, qytezave dhe rallë në qytetet e mëdha.
Largimi i mjekëve tanë në Gjermani u shqyrtua si problem disa vite më parë edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Mjekëve të Shqipërisë. Aty u propozua që studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të firmosnin që në vitin e parë të studimeve një kontratë me shtetin që i detyronte ata të punonin 5 vjetë në Shqipëri për të shlyer detyrimin e investimit të shtetit për formimin e tyre mjekësor në Fakultet. Por ky propozim nuk u pranua nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të UM, pa ndonjë argument bindës. Kështu, edhe Shqipëria “e pasur” po furnizon Gjermaninë “e varfër” me mjekë, në një kohë kur pensioni mujor mesatar i një pensionisti është 150 euro, i një të sëmuri nga Shërbimi Social 100 euro, asistenca sociale për të papunët 30 euro dhe ndërkohë studentët e mjekësisë ende pa dalë në jetë ëndërrojnë të punojnë jashtë shtetit.
Vendimi i Qeverisë për mjekët e rinj për të punuar disa vite në Shqipëri para se të largohen jashtë shtetit është i drejtë, madje i vonuar. Ky vendim është edhe llogjik dhe në favor të mjekëve të rinjë, sepse qendrimi pas diplomimit në Shqipëri do t’u krijojë atyreve përvojë dhe formim të mëtejshëm profesional, për t’u aftësuar në ushtrimin e profesionit të mjekut.
Këtyre studentëve demonstrues, mjekë të ardhshëm po ju përmënd se në vitet 1920-30-40 disa dhjetra mjekë shqiptarë, që kishin studjuar me shpenzimet e familjeve të tyre jashtë shtetit ( Shqipëria nuk kishte në atë kohë Fakultet Mjekësie),- u kthyen në atdheun e atëhershëm të prapambetur, të varfër, pa infrastrukturë, pa kulturën dhe arsimin e sotëm të popullatës,- dhe punuan me vetmohim duke u sherbyer të sëmurëve shqiptarë në qytete dhe fshatra dhe zhdukën malarjen, sifilizin, tuberkulozin etj. Po i lejoj vetes të sjell në kujtesën kolektive vetëm disa nga këta dhjetra e dhjetra mjekë, në pamundësi t’i përmënd të gjithë, që studjuan me shpenzimet familjare, jo shtetërore dhe hodhën themelet e Mjekësisë shqiptare,- për të qenë shembull për këta të rinjë të verbuar nga shkëlqimi i jashtëm i botës përëndimore dhe që nuk e ndjejnë se kanë detyrime edhe për vendlindjen e tyre: Osman Jonuzi, i diplomuar në Stamboll, kirurgu i parë në Tiranë; Dhimitër Vokopola, i diplomuar në Stamboll, neuropsikiatri i parë shqiptar; Sotir Polena, i diplomuar në Gjermani, kirurgu i parë i Korcës; Vasil Laboviti, i diplomuar në Gjermani, kirurgu i parë i Gjirokastrës; Frederik Shiroka, i diplomuar në Austri, kirurg i Shkodrës dhe i Tiranës; Kadri Kërciku, i diplomuar në Austri, themeluesi i dermatologjisë shqiptare; Xhavid Gjata, i diplomuar në Francë, themelues i katedrës së Psikiatrisë; Nikolla Dushniku, i diplomuar në Athinë, themeluesi i shërbimit infektiv shqiptar; Spiro Cipi, i diplomuar në Francë, themeluesi i Mjekësisë Ligjore shqiptare; Besim Zyma, i lindur dhe arsimuar në Stamboll, i specializuar në Gjermani, themeluesi i Otorhino-laringologjisë shqiptare; Shefqet Ndroqi, i diplomuar në Francë, drejtuesi i shërbimit ftiziatrik shqiptar; Kristo Kristidhi, i lindur në Maqedhoni dhe i diplomuar në Austri, themeluesi i okulistikës shqiptare; Stefan Cilka dhe Luigj Benuesi, të diplomuar në Itali- themeluesit e mikrobiologjisë shqiptare; Anton Ashta, i diplomuar në Itali, malariologu që drejtoi luftën për zhdukjen e malaries; Fejzi Hoxha, diplomuar në Francë, internist dhe diabetologu i parë shqiptar; Koco Gliozheni, i diplomuar në Francë, themeluesi i Katedrës së Obstetrik- Gjinekologjisë etj.etj… Këtu nuk po përmënden qindra mjekë të tjerë, që studjuan në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në vënde të tjera të Europës Lindore, dhe që u kthyen të gjithë në Shqipëri.
Ata punuan me një përkushtim të pamasë dhe me punën e tyre pedagogjike arsimuan dhe specializuan mijra mjekë shqiptarë që janë ende në aktivitet sot në Shqipëri. Këta qindra e qindra mjekë paraardhës, që studjuan jashtë shtetit dhe u kthyen të gjithë në atdhe duhet të shërbejnë si shëmbull frymëzimi për studentët e Mjekësisë dhe mjekët e rinj të sotëm për t’i shërbyer me përkushtim popullit jo të pasur shqiptar, i cili me bujari dhe sakrifica po financon arsimimin e tyre.