Akuzave të Sekretarit të Grupit Parlamentar të PD, Arbi Agalliu se gjatë fushatës ka kërkuar vota për Rithemelimin dhe jo për PD zyrtare, deputeti Saimir Korreshi iu përgjigj duke thënë se mund të ketë qenë i dehur.
Korreshi u shpreh se kur ai në Lushnje përballej me Sali Berishën për zgjedhjet e 6 marsit, Agalliu ishte duke pirë alkool në lokalin e tij.
Ai po ashtu hodhi akuza në drejtim të lidershipit të PD zyrtare, duke thënë se nuk i kanë ndihmuar degët financiarisht për fushatën e 2021 apo zgjedhjet e 6 marsit.
“Unë s’e kam dëgjuar zotin Agalliu po do ketë qenë i dehur mendoj. Mos e ngatërrojmë me Endri Hasën, se ai po, po në qoftë se mund të kenë përdor të njëjtën pije, mund të kenë pirë nga e njëjta shishe. Vazhdoj të jem me partinë zyrtare. Do të jem gjithmonë. Ideja që unë kam bërë fushatë për “Bashkë Fitojmë” është një absurditet i madh. Unë vërtete kandidat në Lushnje nuk kam pasur, dhe pas 6 marsit kur zoti Agalliu rrinte dhe pinte ndonjë gotë raki te lokali vetë unë përballesha me Sali Berishën këtu. Ndonjë tjetër si puna e atyre që kanë marrë të dhënat dhe kanë fshehur paswoord-in e të dhënave për mos t’ia dhënë Sekretarit të Përgjithshëm arrinte dhe mbillte flokë, Saimir Korreshi përballej me Sali Berishën për të mos e lënë të kapte grupin parlamentar. Tani a del teoria që këta deputetë nuk kanë punuar. Unë i kujtoj atyre që kamë qenë kryetar i PD edhe në 6 mars edhe në këto zgjedhje. Ne kemi vendosur këshilltarë për këshillin bashkia me 3100 vota. Kështu që Arbi të pyesi njëherë si Sekretar atje ku është a solli ndonjë dy mijë lekësh të vjetër kjo PD në 6 mars ose në zgjedhjet e 2021 kur Saimir Korreshi solli 17200 vota me gjithë djemtë e Lushnjës me lekët e xhepit të tyre. Kanë pyet ndonjëherë këto zotërinjtë. Jo, sepse i kemi bërë me lekë xhepi, me lekë djerse që të mos dëgjojmë këto përralla të atyre që dehen përditë në televizor. Edhe flamujt për të prit liderët i kemi blerë me lekët tona”, tha Korreshi.
I pyetur se a do të votojë më 29 korrik për të vendosur kryetarin e ri mes Lulzim Bashës dhe Gjergji Hanit, Korreshi me ironi tha se do të jetë në plazh ose do të shesë shalqinj, pasi procesi është farsë.
Sipas deputetit të Lushnjës, nëse PD zyrtare hyn në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas këtij procesi, do të përfundojë me 4-5 deputetë.
“Këtu po ndodh një absurditet. I kemi hyp gomari mbrapsht. Nuk është se deputetë nuk kërkuan të mbaheshin zgjedhje. Ne do ikim në plazh, ose do shesim shalqinj, nëse vazhdon me këtë ritëm. Certifikojnë edhe ca lista pastaj që nuk e merr vesh sesa po zhytesh. Thotë ne po shikojmë listat me anëtarët që na mbështetën pas 6 marsit. Po ata që na mbështetën 32 vjet? Unë nuk mendoj se Partia Demokratike ka luksin të largojë njerëz, por duhet të hapet se është aset kombëtar që duhet të përballet me regjimin monstruoz të Edi Ramës. 5 deputetë merr kjo lëvizje nëse vazhdon me këtë degradim. Zoti Berisha nga ana tjetër me 25 deputetë, ndërsa shoku Edi me gërnetë dhe me def 100 të tjerë. Me këto lëvizjet tona idioteske po i marrim në qafë njerëzit”, u shpreh Korreshi.
/a.r