Sikurse kishin paralajmëruar, studentët e mjekësisë kanë vijuar protestat edhe ditën e sotme, këtë herë edhe para Ministrisë së Arsimit, duke varur bluzën e bardhë në kangjellat e kësaj ministrie. Ata janë kundër propozimit të qeverisë për tre vite punësim të detyruar në Shqipëri pas përfundimit të shkollës.
Studentët kundërshtojnë nismën e qeverisë dhe propozimet dhe draftin e hartuar nga universitetet, pasi sipas tyre përbën shkelje të të drejtave të njeriut për të ushtruar profesionin e tyre kudo ku ata dëshirojnë. Sipas tyre caktimi i një mjeku pa eksperiencë në një zonë ku nuk ka mjek tjetër profesionist përbën edhe rrezik për pacientët.
“Është një formë për të treguar që propozimi i Ministrisë është i gabuar është propozuar rritje tarife dhe punësim i detyruar ku ka nevojë atdheu. Ne kërkojmë të anulohet propozimi dhe të përmirësohen kushtet jo vetëm të studimit dhe të shëndetësisë. Me këto kushte edukimi studimi që kanë formim praktik minimal është e rrezikshme dhe për jetët e pacientëve që të çojnë një mjek pa eksperiencë në një zonë ku nuk ka asnjë mjek tjetër profesionist”, u shpreh një nga studentet e mjekësisë për mikrofonin e A2 CNN.
Ajo sqaroi edhe arsyet pse refuzon të punojë atje ku ka nevojë atdheu.
“Plani ka qenë për të qëndruar në Shqipëri, deri para një jave ishte që; sa të përfundoja studimet e përgjithshme, do të punoja si mjeke familje para specializimit, por kur ndodhesh para një pozicioni pune të paracaktuar të ndryshon mendja. Do të më duhet që 25 vjeç të shpërngul veten time në një vend ku ka nevojë atdheu dhe kjo është problem për mua. Asnjëri nuk do të tërhiqet pas betimit të Hipokratit, por kur askush nuk mendon për ne, do të duhet të mendojmë ne për veten”.
/f.stafa