Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur këtë të enjte të mos e pranojë ankimimin e familjarëve të viktimave të 21 janarit.
Ata kishin ankimuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila ia kaloi kallëzimin e tyre për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.
Vetë kreu i SPAK-ut në një letër i ka argumentuar familjarëve arsyet pse dosja i përket për hetime Prokurorisë së Tiranës.
Sipas tij, nëse do të ketë element të tjerë, atëherë hetimet do të kryen nga SPAK-u.
Letra e tij erdhi pasi SPAK-u ka shpallur moskompetencë lidhur me kallëzimet penale të bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste, sa i takon provave të reja lidhur me protestën e 21 janarit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në bulevard, përballë Kryeministrisë.
Më 23 janar 2023, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ai i cili dorëzoi në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, së bashku me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, të cilët akuzohen se janë orkestrues të vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në bulevard.
Dy ditë më pas, do të ishte Partia Socialiste, ajo e cila do të dorëzonte një kallëzim të ngjashëm, ku të akuzuar ishin sërish të njëjtët.
Kallëzimin e bëri drejtpërdrejt Sekretari i Përgjithshëm i të majtëve, Damian Gjiknuri, i cili theksoi se urdhëruesit e vrasjeve, kanë qenë Berisha dhe Basha.
Përfaqësuesi i lartë i socialistëve theksoi se prova e re publike (transkriptet e një regjistrimi) përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar hetimeve.
/a.r