Sot në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ishte pjesë e programit Eva Buzo, avokatja shqiptaro-australiane që ka vendosur të përshkojë me not distancën prej 91 km Otranto-Vlorë.
Ajo zbuloi se ndihet gati dhe se është përgatitur për këtë sfidë që mund të zgjasë nga 35-40 orë.
Buzo theksoi se do t’i përmbahet të gjitha rregullave, që përfshijnë qëndrimin larg varkës si dhe mos pajisjen me kostum noti apo anti-peshkaqen.
“Po përgatitem prej një kohe të gjatë. Kam menduar për vështirësitë, por kur e mendoj sa i bukur është deti, sa bukur është të notosh, sa e lumtur do të jem kur të arrij tokën. Sidomos kur noton gjatë natës dhe sheh kur lind dielli eshte shume bukur. Kur e mendoj se ç’ do te ndodhë nesër, kam vetëm emocione pozitive …Falë kësaj eksperience do lidhem me të shkuarën time, në origjinën time dhe kjo më mbush zemrën”, tha Buzo.
Ajo po ashtu tregoi se një pjesë e mirë e familjarëve dhe fisit me origjinë shqiptare do jenë duke e pritur në Vlorë.
Vlen të përmendim se ajo do të jetë e para grua që do të bëjë këtë distancë me not nëse arrin që ta realizojë me sukses.
Eva është mbesa e Zihni Buzos, emër i panjohur në Shqipëri, por në Australi njihet si një nga inxhinierët më brilant të shekullit të XX. Është pioner i ndërtimit të digës në lumin Oaky, New South Wales, Autrali në vitet 1950. Buzo padyshim është pjesë e historisë së inxhinierisë hidrike australiane. Një digë e cila prodhoi energji për mijra australianë në Armidale. Një projekt periferik të cilin Sidnei nuk e mbështeti kurrë, por që falë këshillit të qytetit u bë e mundur gjetja e fondeve dhe realizmi i saj./m.j