Pas Presidentit të Republikës Bujar Nishani edhe PD-ja do të ankimojë sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për pronat”. Do të jenë dy deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Oert Bylykbashi, ata të cilët do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë ligjin “Për pronat” të miratuar dy muaj më parë nga ana e mazhorancës. Në dokumentin ankimues që do ti dorëzohet Gjykatës Kushtetuese demokratët pretendojnë se ky ligj sanksionon moskompensimin e pronarëve duke shkelur rëndë të drejtat legjitime të pronarëve. Sipas PD-së, ligji bie në kundërshtim të hapur me angazhimet dhe detyrimet e Shqipërisë para Këshillit të Europës, si dhe është në kundërshtim të plotë me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. PD kërkon rrëzimin e ligjit, si dhe rikthimin edhe një herë në Kuvend për hartimin e një ligji të ri.
Nishani
Pak ditë më parë edhe Presidenti, Bujar Nishani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin e ligjit të Qeverisë për pronat. Nishani kërkon shfuqizimin e këtij ligji pasi sipas tij është i papajtueshëm me Kushtetuten. Beteja e tij kundër ligjit nisi me dekretin për kthimin e tij në Kuvend në6 fund të dhjetorit, ku argumentonte se ligji në tërësinë e tij, cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit të ish-pronarëve, prish konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Vlera e kompensimit, argumentonte Presidenti, bën të pabarabartë përpara ligjit ish-pronarët.
(javaneës.al) Me. Ar