Për 22 vjet Albina u kujdes për prindërit e bashkëshortit të saj, Yllit dhe për disa kohë, edhe për vëllain e tij. Nga trashëgimia që ata kanë lënë pasi ndërruan jetë, Ylli përfiton një pjesë të konsiderueshme të pasurisë.
Por siç u shpjegua në fillim të “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prej 6 muajsh Ylli ka ikur nga shtëpia duke lënë pas Albinën me 3 djemtë dhe ka shkëputur kontaktet. Në takimin e tyre në seancën e ndërmjetësimit, ai thotë se Albina i kërkon vetëm para, por nuk i jep një arsye për largimin e tij.
Ligjërisht, Albina nuk ka të drejta mbi trashëgiminë sepse nuk është pasuri e vënë gjatë martesës, por moralisht ajo kërkon që të marrë diçka pasi nevojitet për familjen. Megjithatë, më e rëndësishmja për këtë grua është që familja të mos prishet. Ylli shprehet se ajo nuk do të marrë asgjë, do të kujdeset për fëmijët por do të vijojë të mos kthehet në shtëpi.
Ylli: Kur të marr ato që më takojnë mua nga babai im, unë do të mendoj edhe për fëmijët, por për zonjën jo.
Eni Çobani: Jo, dua të kuptoj këtë, atë qera që do marrësh ti nesër…
Ylli: Qera, lekët, asnjë qindrakë s’do marrësh nga unë. Trashëgimia e babait tim nuk ka lidhje me këtë.
Eni Çobani: Po e thamë, nga ana ligjore nuk ka lidhje, dakord jam unë. Po nga ana morale i takon kësaj gruas ndonjë lek apo jo?
Albina: A e kupton se çfarë është fjala morale mor Ylli? Çfarë kërkon më? Pse nuk kthehesh në shtëpi?
Eni Çobani: Albina, kjo pra është pyetja e fundit, pse nuk kthehesh në shtëpi? Kjo pra është e vërteta. Kemi kthim në shtëpi Ylli apo jo? Do kthehesh te Albina dhe te djemtë apo joo?
Ylli: Zonja Eni unë akoma nuk kam bërë gjë për trashëgiminë.
Albina: Po pse trashëgimia është më interesante se sa familja? Trashëgimia aty është, të takon po të them, do ta marrësh, ¼ do ta marrësh, do ta pjesëtosh me vëllezërit dhe me motrat, nuk do ta marrësh të tërë ti! Atë ¼ që do marrësh mbaje për vete, haje, gëzoje, shijoje, por familja kërkon burrin, babain, bashkëshortin.
Ylli: M’u ka bërë koka kaq me këtë grua!
Eni Çobani: Nuk e do më?
Ylli: Jo. Nuk e dua më.
Albina: Ky është burri, për lekët të hedh në tokë! Miliona njerëz, miliona vite ne gratë lajmë, shpëlajmë, gatuajmë, i bëjmë të gjitha! Çfarë bëni ju burrat, vetëm tralala? Jo birra, jo raki, e kaloni jetën me shokët, me shoqërinë!
Eni Çobani: E do akoma Yllin?
Albina: Po patjetër moj zonjë! Unë prandaj kam ardhur këtu që të mos na shkatërrohet familja!
/a.r