Lulzim Basha e ka cilësuar një akt të ulët e provokativ rrëmbinin e 3 policëve të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha kërkoi lirimin e menjëhershëm të efektivëve dhe iu bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të ulen në tryezën e bisedimeve.
“Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë është një akt i ulët provokativ që synon destabilizim.
Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i garantuar nga faktori ndërkombëtar dhe akte të tilla janë thjesht dhe vetëm tentativa për përshkallëzim të tensioneve.
Aleksandër Vuçiç duhet t’i ndalojë menjëherë provokimet dhe të urdhërojë lirimin e punonjësve të Policisë së Kosovës!
Kosova dhe Serbia duhet pa humbur kohë të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe së bashku me partnerët tanë SHBA dhe BE të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar dhe për t’i dhënë fund më njohje reciproke mosmarrëveshjeve që po prodhojnë vazhdimisht tensione. Vetëm në këtë mënyrë do të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe të dy vendet do të fokusohen drejt zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve”, shkruan Basha.
/a.r