Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” se nëse dikush mendon se beteja për interesat e Kosovës është betejë kundër Amerikës, atëherë ai s’mund të jetë veçse një i çmendur.
Duke cilësuar të tillë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Krasniqi u shpreh se është i frikësuar për situatën në veri të Kosovës dhe atë që mund të ndodhë përballë Serbisë.
“Asnjë sukses në historinë e popullit shqiptar, as të Kosovës, nuk ka ndodhur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e thjeshtë, kjo s’ka të bëjë as me nënshtrim, as me servilizëm. Kushdo që mendon të kundërtën është aventurier dhe nuk është normal në kuptimin e parë të fjalës,” – u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se ndërsa i druhet përshkallëzim të situatës, është i bindur se sot Kosova ka marrë një kthesë të rrezikshme.