Ai mund të cilësohet si njeriu kyç që mund të zbardhë atë që tashmë njihet si “Masakra e Don Boskos”, një nga episodet më të përgjakshme të luftës midis krimit të organizuar.
Në mbrëmjen e 12 Marsit 2023, një togë qitësish, qëlluan me breshëri armësh lokalin në pronësi të vëllezërve Fation dhe Ervis Murati në rrugën ‘Anastas Shundi’ në Tiranë, ngjarje ku mbeti e vrarë banakierja e lokalit Mimoza Paja dhe u lëndua mbesa e saj, vetëm 10 vjeçare.
Të plagosur mbetën edhe Shehat Murati, Astrit Memaj, Genci Shaholli, Ermir Dajçuk dhe Emanuel Çala.
Një pjesë e tyre familjarë të ngushtë të shënjestrës së vërtetë të atentatit mafioz, Fation Muratit.
Në momentin e sulmit, Murati kishte mundur të largohej nga Shqipëria, pavarësisht se do të duhej të qëndronte në masën e arrestit në shtëpi, caktuar nga gjykata.
Por kush është Nikoll Sherrniku, njeriu tashmë i arrestuar nga drejtësia si personazhi më i rëndësishëm që mund të zbërthejë të gjithë mekanizmin se si u krye ‘Masakra’ e Don Boskos?
Si ra policia në gjurmët e tij, pas ndjekjes që iu bë targave të vjedhura të makinës së vrasësve, që e çuan policinë shqiptare deri në Gjermani?
Pse policia beson që njeriu i konsideruar si ‘ushtari’ i Ervis Martinaj, bosit tashmë të zhdukur prej më shumë se një viti të kumarit, mund të hapë gojën dhe të tregojë se kush ishin ata që shkrepën armën dhe urdhëruan ‘Masakrën’ e Don Boskos?
Dhe a mund të rezultojë rrëfimi i tij në një surprizë për vetë fatin e Ervis Martinaj?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Sherrniku, që tashmë akuzohet për veprën penale të ‘Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje’, në momentin kur ndodhi ‘Masakra’ e Don Boskos me një të vrarë dhe 5 të plagosur, ndodhej i izoluar në qelitë e paraburgimit.
Ai u arrestua në gusht të vitit të kaluar , thuajse 10 muaj para masakrës, pasi kishte thyer vendimin e gjykatës për të qëndruar në masën e arrestit në shtëpi.
Nën këtë masë shtrënguese Sherrniku u vendos nga gjykata e Lezhës, pasi bëri disa muaj burg nën dyshimet për përfshirje në vrasjen e policit Xhuljo Prela.
Ai nuk u akuzua për vrasje, por për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
Por ndërsa duhet të qëndronte i izoluar në banesën e tij, ai u prangos teksa lëvizte rrugëve të Lezhës.
Si e implikon prokuroria Nikoll Sherrnikun në ‘Masakrën’ e Don Boskos, në një kohë që ai ndodhej në burg në kohën kur ajo ndodhi?
Sipas policisë, i gjithë roli i Sherrnikut si suportues në këtë ngjarje, nisi të zbulohej pas gjetjes së djegur të makinës, që autorët përdorën në atentat.
Makinë që fill pas ngjarjes u gjet e shkrumbuar në fshatin Likometaj, 3 km pranë fshatit Bubq në Fushë-Krujë.
Aty ku hetuesit zbuluan se targat e makinës tip BMË Seria 5, të përdorur në krim, ishin gjermane.
Ishte pikërisht kjo gjetje që çoi policinë shqiptare edhe në komunikimin me homologët e saj gjermanë.
Nga ku doli se targat gjermane i përkisnin fillimisht një makine Opel Astra Sports Tourer.
“Pas bashkëpunimit me Interpol Ëiesbaden/Gjermani, këta të fundit bënë me dije se targa gjermane REHX112, i përkasin një automjeti Opel Astra Sports Tourer, me ngjyrë gri.
Ky automjet me këtë targë është regjistruar në Gjermani në datë 6 Maj 2022, në emër të një shtetasi gjerman, në qytetin Dortmund, i cili nuk njihet nga ana e tyre për veprimtari kriminale.
Nga Interpol Ëiesbaden, u informua se targa REHX112 është lëshuar për automjetin tip Opel Astra Sports Tourer, i regjistruar për herë të parë në shtetin gjerman më datë 14 Shkurt 2012 dhe në datë 6 Maj 2022, ka kaluar në pronësi të shtetasit gjerman C.K.
Nga data 14 Shkurt 2012 deri më datë 23 Nëntor 2012 ky automjet ka qenë në pronësi të një koncesionari makinash.
Më pas ky automjet është nxjerrë jashtë qarkullimit.
Nga data 04 Tetor 2013 deri me datë 4 Tetor 2022, ky automjet rezulton se ka qenë në pronësinë e shtetasit gjerman M.G”, thuhet në dosjen hetimore.
Pas komunikimeve të vazhdueshme me homologët gjermane, hetuesit u orientuan në drejtim të Kosovës.
Kjo sepse shtetasi Kosovar i identifikuar si Besnik Shlivova, e kishte përdorur këtë targë në automjetin e tij tip
Audi A6 nga data 22 shkurt deri më 3 maj 2022.
“Nga verifikimet ka rezultuar se targa REHX112 para se të regjistrohej me automjetin tip Opel Astra Sports Tourer, nga data 22 shkurt 2022 deri më datë 3 Maj 2022, i përkiste një automjeti tip Audi A6, në emër të shtetasit Besnik Shlivova.
Gjatë periudhës 10 Qershor 2022 deri më 12 Shtator 2022, Besnik Shlivova ka pasur në pronësi dhe një automjet Volksëagen Golf me targe RE-N 1043.
Po ku automjeti Audi A6 me targë REHX112 nuk rezulton në kërkim nga autoritetet Gjermane”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga hetimi dhe dëshmia e tij dhënë para hetuesve rezultoi se Besnik Shlivova e kishte sjellë makinën Audi A6 me targën REHX112, nga Gjermania në Kosovë, në muajin prill 2022.
Dhe më pas e kishte shitur automjetin për skrap.
Ndërsa targat sic ai shpjegon i kishte kthyer sërish në Gjermani, për ti çregjistruar.
“Nga verifikimet e Policisë së Kosovës rezulton se në muajin Prill 2022, Besnik Shlivova, ka sjellë nga Pika Kufitare Merdare, një Audi A6, me targë REHX112.
Ai rezulton se më pas këtë makinë e ka shitur për pjesë tek një autoservis në Drenas, ndërsa targat i ka marrë me vete për t’i çregjistruar në Gjermani”, thuhet në dosje.
I marrë në pyetje, Besnik Shlivova, tregoi më pas për hetuesit se për të kryer sa më shpejt procesin e letrave të makinës dhe çregjistrimit të targave, atij i erdhi në ndihmë një tjetër bashkëatdhetar i tij.
Ky bashkëkombas ishte Gazment Jakupi.
Pronar i autoservisit ku Besnik Shlivova, dorëzoi targat, në Gralbeg të Gjermanisë.
“Benik Shlivova shpjegoi se për efekt letrash, për të blerë makinën në Gjermani atë e ka ndihmuar Gazment Jakupi, pronari i autoservisit ‘Gago’. i cili pasi ka bërë çregjistrimin e targave e ka çuar targën tek një depo hekurishtesh në Gjermani”, thuhet në dosje.
Dëshmia e Jakupit, zbuloi edhe emrin e personit që kishte marrë targat e përdorura më pas në krimin e Don Boskos.
Një emër tejet suprizues edhe për vetë policinë shqiptare.
Ai tha se ky person ishte Nikoll Sherrniku, nga Fushë-Kuqe në Shqipëri, i cili sipas tij i kishte marrë targat REHX112, bashkë me dy të tjera.
Sherrniku, që siç thamë ishte një njohje e vjetër e policisë shqiptare, për vetë CV e tij të pasur kriminale, por që më së shumti njihej edhe si lidhje kriminale e Ervis Martinaj.
“I kontaktuar nga policia e Kosovës, Gazment Jakupi, ka deklaruar se tek depoja ka qenë Nikoll Sherrniku nga Fushë Kuqe, Shqipëri, që i ka marrë targat REHX112 bashkë me dy palë targa të tjera”, thuhet në dosje.
Siç del më tej nga hetimi, Nikoll Sherrniku, në muajin maj të vitit 2022, kohë kur do duhej të ishte nën masën e arrestit në shtëpi, kishte vizituar autioservisin e shtetasit nga kosova, Gazment Jakupi.
Gjë që vërtetohet edhe nga vetë dëshmia e këtij të fundit, dhënë për oficerët e policisë.
“Më datë 15 Maj 2023, në Recklinghausen Gjermani, u pyet shtetasi Gazment Jakupi, i cili deklaroi se ka në pronësi të tij auto-servis ‘Gago’, në Gladbek.
Ai tha se targa REHX112 i përket shtetasit Besnik Shlivova, i cili ka qenë i punësuar tek servisi i tij për rreth 5 muaj.
Sipas tij Besniku ka patur një Audi A6, me ngjyrë gri, që e ka çrregjistruar dhe targat i ka lënë tek servisi. Gazment Jakupi, thotë se Nikoll Sherrniku ka qënë tek servisi i tij vitin e shkuar, ku është interesuar për të blerë një makinë dhe ndërkohë që po interesohej ka vjedhur/marrë disa targa.
Këtë fakt ai e ka mësuar nga punëtori i tij, shtetas sirian”, thuhet në dosje.
Por përpara se të merrej në pyetje nga policia kosovare në lidhje me targat, Gazment Jakupi, rezulton se ka udhëtuar drejt Shqipërisë, dhe është ndalur në Fushë Kuqe.
Aty ka zhvilluar takime me familjarët e 3 punëtorëve shqiptarë, të servisit të tij të tre nga zona e Fushë-Kuqes.
Udhëtim që ai e ka kryer më datë 19 mars 2023, pra vetëm 7 ditë, pasi në Tiranë ishte konsumuar masakra e Don Boskos.
Nuk dihet nëse ky udhëtim i tij u ndërmor pasi mësoi që targa e gjetura në makinën e djegur pas krimit në Tiranë, ishin marrë nga servisi i tij në Gjermani, apo kishte diçka përtej saj.
“Gazmend Jakupi bashkë me kunatin e tij, , kanë udhëtuar në fshatin Fushë-Kuqe në Laç, aty ku kanë takuar me babain e njëri prej punonjësve të servisit të tij.
Atë e kanë pyetur për targat. Ai iu ka thënë se me targat kishte ndodhur diçka, një aksident apo diçka e ngjashme dhe automjeti me këto targa është larguar dhe më pas është djegur”, thuhet në dosjen hetimore.
Ajo që rezulton është se Gazment Jakupi e bëri kallëzimin për humbjen e targave në policinë gjermane, vetëm pasi u kthye nga Shqipëria.
Konkretisht më datë 24 Mars 2023.
Ndërkohë që krimi në Tiranë, ndodhi më datë 12 mars 2023.
I shqetësuar nga hetimet tashmë të nisura edhe nga policia gjermane, Gazment Jakupi thuhet se takoi gjatë qëndrimit në Shqipëri, njerëz të njohur të Nikoll Sherrnikut.
Me ftesë të babait të punonjësit të servisit, ai drekoi në lokalin e burrit të hallës së Ervis Martinaj në Patok.
Ky i fundit pranoi se thjesht ishte përshendetur me Gazment Jakupin dhe personat që ndodheshin në tavolinë me të, por se nuk kishte bërë biseda me ta dhe as kishte dijeni se përse ai kishte ardhur në Shqipëri.
Gazment Jakupin duket se në Shqipëri e kishte sjellë një emër, Nikoll Sherrniku, për të cilin mësoi se ishte arrestuar për një çështje tjetër hetimore.
Në lidhje me këtë çështje, policia shqiptare mori në pyetje edhe vetë personat që Gazment Jakupi thotë se takoi në Shqipëri.
“Shtetasi L.V deklaron se djali i tij, ka dy vite e gjysmë që punon si mekanik në shtetin gjerman tek servisi ‘Auto Gago’, 30 minuta larg qytetit të Duseldorfit dhe se pronari i tij quhet Gazment, apo ndryshe ‘Gago’.
Ai thotë se rreth muajit mars 2023, u telefonua nga bashkëshortja e tij, e cila i tha se tek lokali kishte ardhur Gago, pronari i djalit”, sqarohet në dosjen hetimore.
Në të njëjtën tavolinë me pronarin e servisit dhe shtetasin L.V ishin dhe dy vëllezërit Gjini, njëri prej të cilëve ishte po ashtu punonjës i servisit në Gjermani.
“Shkova të lokali dhe u përshendeta me Gagon, i cili shoqërohej nga një person tjetër i quajtur S. Mustafa Gjini, që është vëllai I K.Gjinit. Gjatë bisedës dëgjova që Gago pyeti S.Gjinin se kush është Nikoll Sherrniku dhe ku ta gjej. Ai i tha se Nikoll Sherrniku ishte në burg”, thuhet në dëshminë e L.V.
Dëshmitari ka shpjeguar se Nikoll Sherrnikun e njihte, përderisa ishte nga e njëjta zonë, por thekson se djali i tij nuk ka lidhje me krimin.
“L.V ka shpjeguar se Nikoll Sherrniku, është nga e njëjta zonë me të, nga Fushë Kuqe, dhe para se të futej në burg, vinte ndonjëherë tek lokali i tij për të pirë kafe.
Policia nuk ka ngritur asnjë dyshim mbi 3 djemtë nga Shqipëria që punojnë në servisin e Gazmend Jakupit, por dyshojnë se Nikoll Sherrniku, u ndal në këtë servis, pasi kishte dijeni se ata punonin atje”, thuhet në dosje.
Dëshmia që do ta fundoste Nikoll Sherrnikun, ishte ajo e mikut të tij, S.Gjini.
I cili pranoi për hetuesit, se Sherrniku gjatë qëndrimit të shkurtër në autoservis ‘Gago’ në Gjermani, në pronësi të Gazment Jakupit, kishte marrë aty pa dijeninë e këtij të fundit, tre targa, midis të cilave edhe atë që u përdor në krimin e ndodhur në Tiranë, më 12 mars 2023.
Fillimisht ai rrëfeu bisedën me Gazment Jakupin dhe shqetësimin që ai kishte për targat.
“Më muajin Mars të vitit 2023 më ka shkruajtur në Ëhatsapp shtetasi kosovar Gazmend Jakupi, i cili më ka shkruajtur “Ku je? Sepse kam ardhur në Shqipëri dhe tani jam në Fushë-Kuqe tek lokali i L/V.
Unë i kam thënë se po shkoja aty dhe kam shkuar tek lokali ku aty kam takuar kosovar Gazment Jakupin, i cili ishte së bashku me një person tjetër shtetas kosovar që ma prezantoj si burrin e motrës së tij nga Prizreni.
Pasi u përshëndetëm, Gazment Jakupi më pyeti se çfarë ishte bërë me targat gjermane, REHX112 që Nikoll Sherrniku ka marrë tek servisi i tij në Gjermani përpara disa kohësh.
Unë i kam thënë se e di që këto targa i ka marrë Nikoll Sherrniku por nuk e di se çfarë ka bërë me to, ku mund t’i ketë lënë apo kujt mund t’ia ketë dhënë, sepse ka disa muaj që është në burg.
Gazment Jakupi më tha se në Gjermani është bërë problem puna e targave pasi policia atje po bënte hetim.
Gazmenti dukej shumë i shqetësuar dhe vetëm për këtë arsye kishte udhëtuar nga Gjermania në Shqipëri”, dëshmon ai.
Dëshmitari rrëfeu edhe bisedat telefonike me Sherrnikun kur ai ndodhej në Gjermani dhe kishte vizituar servisin.
“Në lidhje me targat REHX112 sqaroj se disa muaj para se Nikoll Sherrniku të kapej në qytetin e Lezhës me armë së bashku me një vajzë nga zona e Fushë- Kuqes, ai ka qenë në Gjermani.
Gjatë qëndrimit atje ai më ka marrë në telefon dhe më ka thënë se ndodhej tek servis ‘Gago’ në Gladbek, ku po interesohej të blinte makinë.
Te ky servis ishte takuar me vëllain tim dhe dy kushërinjtë që punojnë aty.
Gjatë bisedës Nikoll Sherrniku më tha që nuk kishte gjetur makinë por nga servisi kishte marrë tre palë targa gjermane, njëra nga të cilat njëra ishte REHX112, për t’i përdorur në Shqipëri me qëllim për tju shmangur policisë”, thuhet në dosje.
Sipas S. Gjinit, pasi Nikoll Sherrniku erdhi në Shqipëri, ky i fundit i kishte thënë atij se targat ia kishte kërkuar vetë Ervis Martinaj.
“Faktin e shkuarjes së Nikoll Sherrnikut tek servis ‘Gago’ në Gjermani dhe marrjes së targave mua ma ka konfirmuar në telefon dhe vëllai im.
Pak ditë më pas Nikoll Sherrniku erdhi në Fushë-Kuqe dhe gjatë bisedave me të ai më pohoi dhe një herë faktin që në Gjermani kishte marrë tre palë targa dhe i kishte sjellë ato në Shqipëri.
Gjithashtu ai më tha se këto targa do t’ia çonte Ervis Martinaj të cilit ai i thërriste “shefi” pasi ishin porosi e tij.
Dua të them se Ervis Martinaj e mbante shumë afër Nikoll Sherrnikun që praktikisht ishte ‘ushtar’ i tij”, rrëfen S. Gjini.
Dëshmitari shpjegon se nuk ka patur asnjë lidhje me Ervis Martinaj, ndërsa pranon se me Nikoll Sherrnikun takohej herë pas herë kur ai dërgonte makinat në servisin e tij.
“Unë personalisht nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Ervis Martinaj, por herë pas here kam punuar në servis me makina të tij që i sillte Nikoll Sherrniku.
Mesa më kujtohet makinat që Sherrniku sillte te unë për servis ishin kryesisht Mercedez-Benz të gjitha me ngjyrë gri me targa shqiptare të cilat nuk i mbaj mend.
Me Nikoll Sherrnikun mbaj kontakte. Kryesisht ai më telefonon nga kabina e burgut. Hera e fundit që kam folur me të ka qenë dje. rreth orës 19.42 min”, dëshmon S. Gjini.
Por vetë Nikoll Sherrniku mohoi përpara hetuesve, që të jetë ai që i mori targat e përdorura më pas në makinën që kreu atentatin e Don Boskos, në autoservisin e Gazment Jakupit në Gjermani.
Ashtu siç edhe pritej, ai gjithashtu mohoi që të ketë njohje të drejtëpërdrejta me Ervis Martinaj.
“Nikoll Sherrniku pranon faktin se në vitin 2022, së bashku me një shokun e tij, shtetas italian, të quajtur Massimo, kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Italia në
Gjermani, ku ai ka qëndruar për rreth dhjetë ditë në qytetin e Dyseldorfit, Gjermani.
Ai thotë gjatë qëndrimit në shtetin gjerman ai ka shkuar çdo ditë tek auto servis ‘Gago’, ku punonte miku i tij, K.Gjini, i cili e ka prezantuar me pronarin e tij, shtetasin kosovar që thirrej ‘Gago’.
Nikoll Sherrniku thotë se në servis ka parë makina të ndryshme por mohon se ka marrë apo vjedhur ndonjë tërgë në këtë servis.
Gjithashtu, ai pohon se ka njohje me Ervis Martinaj, pasi janë nga e njëjta zonë, por thotë se nuk ka lidhje apo dijeni, lidhur me targat REHX112 dhe as me ngjarjen e datës 12 Mars 2023, ku është qëlluar me armë në drejtim të lokalit në pronësi të vëllezërve Murati”, thuhet në dosjen hetimore.
Por policia beson në bazë të provave të mbledhura se Nikoll Sherrniku nuk thotë të vërtetën.
Për këtë arsye ai u vendos edhe njëherë në pranga, brenda ambienteve të burgut ku ndodhet, për një vepër tjetër penale.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se Nikoll Sherrniku, në muajin Maj të vitit 2022, ka marrë targat me numër REHX112 nga Gjermania dhe i ka dërguar në Shqipëri, me qëllim ruajtjen dhe përdorimin e tyre në ngjarje kriminale.
Provohet fakti se këto targa janë përdorur në ngjarjen e datës 12 Mars 2023, ku në Rrugën ‘Anastas Shundi’, Tiranë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të lokalit, pronësi të vëllezërve Murati, ka gjetur vdekjen shtetasja Mimoza Paja, si dhe janë dëmtuar dhe plagosur disa persona të tjerë”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas organit hetues, po kështu është e provuar edhe fakti që Nikoll Sherrniku është lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe se si ushtar i këtij të fundit, ka siguruar bazën materiale për të kryer atentatin e ndodhur në lagjen Don Bosko në Tiranë, në dëm të vëllezërve Murati, këta të fundit lidhje e fortë shoqërore e Endrit Dokles.
Por a do tregojë të vërtetën Nikoll Sherrniku për masakrën e Don Boskos dhe a do mundet grupi hetues të thyejë heshtjen e tij?
Heshtje që mban të kyçur edhe shumë ngjarje të tjera të rënda.
Siç ishte ajo e vrasjes së oficerit të policisë, Xhulio Prela ku është i përfshirë jo vetëm ai, por edhe personazhe të botës së krimit, të cilët e përdornin atë si ushtarin e tyre të besuar, siç ishte edhe Ervis Martinaj, bosit tashmë iu zhdukur që nga muaji gusht i kumarit, por që hapja e gojës së Nikoll Sherrnikut, mund të na tregojë të vërtetën, se cili ishte fati i tij.