Trafiku është padyshim burim stresi e shpesh padurimi për shumë shoferë, megjithatë është pjesë e përditshmërisë, sidomos në qytetet e mëdha. Në rrugët e Shqipërisë, ashtu siç nuk mungo trafiku, nuk mungojnë as shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët shpesh janë një arsyeja përse trafiku rëndohet edhe më shumë.
Ka raste kur shoferët gjejnë edhe zgjidhje si në rastin që përcjell për mediat këtë të mërkurë policia e Tiranës. Shoferi i kësaj makine, për t’i shpëtuar trafikut, u ngjit pas një ambulance, duke lënë pas automjetet e tjera… Megjithatë ky “çlirim” prej pak çastesh i kushtoi plot 40 mijë lekë, pasi u gjobit nga policia rrugore.
“Policia Rrugore e Tiranës në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, ka konstatuar dhe ndaluar një automjet që ndiqte ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence. Ndaj drejtuesit të automjetit u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj. Policia Rrugore e Tiranës apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes në raport me rregullat e qarkullimit rrugor dhe veçanërisht për të mos ndjekur nga afër dhe shfrytëzuar progresionin e lëvizjes së mjeteve të emergjencave, me sisteme zanore dhe pamore ndezur “, tha policia në një njoftim për mediat.
/a.r