Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, edhe pas përfundimit të mandatit, do të marrë pagën në vlerë prej 70 përqind të asaj që e merr Shefi i Shtetit. Ajo do të ketë pagën dikur rreth 2500 euro në muaj.
Veç kësaj, Jahjaga do të ketë mundësi t’i punësojë tre persona për një periudhë pesëvjeçare derisa
Ndërkohë, Presidentja Jahjaga do të ketë përcjellje zyrtare në tri vitet e ardhshme.
Mandati i Atifete Jahjagës i përfundon më 6 prill të këtij viti. Ajo kishte ardhur në krye të Shtetit nga pozita e Zëvendësdrejtoreshës së Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ishte bërë Shefe e Shtetit pas largimit te Pacollit nga pozita e Presidentit. Në vitin 2011, LDK, PDK dhe AKR ishin marrë vesh për një president njëvjeçar, por Gjykata Kushtetuese, kishte konstatuar se Shefi i Shtetit duhet t’i ketë pesë vjet. Atifete Jahjaga kishte dëgjuar Gjykatën e jo Marrëveshjen e tri partive, deputetët e të cilëve e patën votuar për Shefe të Shtetit. Sidoqoftë, Jahjaga pati shpresuar se mund t’i vazhdohet mandati edhe për pesë vite duke e parë krizën politike. Por, tash në krye të Shtetit është votuar Hashim Thaçi.
Gjatë pesë viteve në Presidencë, Jahjaga ka arritur të ketë në llogari bankare më shumë se 85 mijë euro.
Këto janë privilegjet e Presidentit pasi i përfundon mandati bazuar në Ligjin për Presidentin
Neni 19
1. Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës.
2. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe familja e tij/saj pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.
Neni 20
1. Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë për periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.
2. Personeli profesional nga paragrafi 1 i këtij neni, të drejtat e marrëdhënies së punës i realizojnë në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, kurse emërohen nga Presidenti të cilit i ka përfunduar mandati.
Neni 21
Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në pajtim me aktet e veçanta që i sjell Ministri i Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën e Presidentit te Republikës së Kosovës.