Kurti të formojë Asosacionin dhe të mbajë zgjedhjet në veri sa më shpejt, thotë Senatori Murphy. Kriza e provokuar nga Prishtina, ishte e panevojshme. U rrezikuan jetë amerikane!
Senatori Chris Murphy në intervistën me Ilva Tare për Balkans Debrief të Atlantic Council kërkon rikthimin në axhendën e normalizimit për Kosovën dhe Serbinë. “Është e nevojshme që liderët të bëjnë lëshime”, pohon Murphy.
“Të formohet sa më parë Asosacioni, nuk ka asnjë arsye përse të mos krijohet menjëherë. Kryeministri Kurti ka pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur një draft. Serbia të mos e pengojë Kosovën për njohjet ndërkombëtare. Këto nuk janë pengesa të pakalueshme”, vazhdoi ai. Ai bëri me dije se këtë javë do të telefonojë edhe Presidentin Vucic per t’i kërkuar atë që i tha Kryeministrit Kurtit që të lënë mënjanë dallimet dhe të rikthehen në dialogun e normalizimit.
Senatori demokrat nga Connecticut ku gëzon edhe mbështetjen e diasporës Shqiptare-amerikane sqaron pozicionin e SHBA në lidhje me kritikat për një qëndrim të pabalancuar për situatën në veri ku u fajësua Kosova dhe vendimi i Albin Kurtit për të dërguar Kryebashkiakët e rinj në godinat e bashkive.
“Askush të mos ketë iluzion se Kosova dhe SHBA nuk janë ngushtësisht të lidhura. Ne më shumë se asnjë shtet tjetër jemi përgjegjës për ekzistencën e Kosovës dhe kemi siguruar miliarda dollarë nga taksat amerikane dhe mijëra trupa amerikane për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
Por ndonjëherë miqtë duhet t’u dërgojnë mesazhe të vështira miqve të tyre”, shtoi Murphy. Ai vazhdoi me tej se “veprimet që përshkallëzuan krizën në veri u kryen nga Prishtina. Vendimi për dërgimin e kryetarëve të bashkive për të hyrë në godina pas zgjedhjeve ku mori pjesë vetem 3% e elektoratit ishte një akt provokativ i panevojshëm dhe unë apo liderë të tjerë amerikanë do t’i themi gjërat siç janë”.
Senatori Murphy shtoi se ka shumë kritika edhe për qeverinë serbe. “E kam shprehur publikisht zhgënjimin tim për mosbashkimin e Serbisë me sanksionet kundër Rusisë. Vazhdimisht qeveria serbe ka ndërmarrë akte në veri të Kosovës që e kanë dekurajuar paqen. Por ajo cfarë ndodhi përpara tri javësh nuk kishte pse të ndodhte dhe nëse Prishtina do të merrte një vendim tjetër ndoshta do të ishim duke zbatuar pikat e marrëveshjes tani”.
I pyetur nga Tare për protestat në Beograd dhe besueshmërinë e Presidentit serb pas artikullit të NYT që e lidhte me huliganët në Serbi, Senatori Murphy u përgjigj se ka folur me Vucic për dobësimin e demokracisë në Serbi, për mungesën e pavarësisë së medias dhe se është i shqëtësuar për të ardhmen e Serbisë në rast se nuk ekziston një media e lirë për t’i kërkuar llogaridhënie qeverisë dhe nëse nuk ka një opozitë që t’i parashtrojë një zgjedhje të vërtetë serbëve.
Me sa kam parë qeveria nuk ka ushtruar forcë për të thyer protestat. Dua të sigurohem që Serbia mbetet një vend demokratik, një shtet ku votuesit zgjedhin me votë liderët që i udhëheqin dhe të ardhmen e tyre”, përfundoi Senatory Chris Murphy.