Shërbimet e Policisë Kufitare në port Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Entry”.
Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus, me metoda bashkëkohore, në pjesën e tavanit, janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
/a.r