Në këtë vit që Tirana mban titullin “Qyteti Europian i Sportit”, Shqipëria do të përfaqësohet me 10 atletë me aftësi të veçanta në Lojërat Botërore Olimpike Speciale ne Berlin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti delegacionin që do përfaqësojnë Shqipërinë në këtë kompeticion.
“Jam i sigurt që ju që tani jeni fitues, nuk ka rëndësi se sa medalje do të sjellim nga Berlini, por ajo qe ka rëndësi eshte sesa atletë m do të çojmë në Berlin. Janë 10 yje që do shkëlqejnë dhe unë besoj që do frymëzojnë dhjetëra, e dhjetëra, e qindra, e ndoshta mijëra të tjerë, që do ndjekin rrugëtimin tuaj, që do frymëzohen nga historia juaj. Mesazhi që ne duam të japim për çunat dhe gocat me nevoja speciale është që “gjithkush është dikush”. Edhe për ne të gjithë këta fëmijët janë dikush dhe janë shumë të rëndësishëm për qytetin tonë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se: “Edhe ekipi ynë olimpik i Lojërave Speciale, është po aq i rëndësishëm sa ekipi ynë i lojërave olimpike. Dhe ekipi ynë që shkon në Berlin këtë vit, është po aq i rëndësishëm sa ekipi që do shkojë në Paris në 2024-ën për të thyer rekordet atje. Kështu që, do të doja shume që teksa përgatitemi për këtë standard të ri, të mendojmë për një standard më të lartë. Kemi kapur një majë mali, por çdo majë mali është rrëza e një mali tjetër, që është edhe më i lartë. E filluam me 2, jemi te 10, tani duhet të mendojmë që tani në këtë majë mali, si rrëzën e malit tjetër, që kur të vijën lojërat e tjera, ne të kemi jo 10, por 20, 30 atletë dhe jam i sigurt që do zgjohet edhe ajo ndjesi e filantropisë”, përfundoi Veliaj.
Roland Hysi, drejtor i projektit “Special Olympics Albania” në vendin tonë, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen.
“Në 2019-ën, Shqipëria përfaqësohej nga një delegacion prej 6 vetash, ku 2 ishin atletë që garonin në 2 disiplina, not dhe atletikë, pra kishim vetëm Lulin dhe Gersin. Ndërkohë kemi një 5-fishim të këtij delegacioni dhe duhet thënë që kjo ka qenë një mbështetje e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e Kryetarit të Bashkisë dhe Bashkisë Tiranë, që e ka pasur këtë vëmendje në fokus, duke e bërë pionierin dhe flamurtarin parë të kauzës”, tha Hysi./m.j