Qindra fëmijë ndoqën sot koncertin dhe aktivitetet që Bashkia e Tiranës kishte rezervuar për ta në mjediset e parkut të Liqenit Artificial, ku të vegjlit e qytetit shijuan një të dielë ndryshe. Në koncert mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se bashkia nuk po krijon kënde lojërash vetëm te parku i liqenit, por edhe në zona të tjera si Bregu i Lumit, Kinostudio apo Kombinat. Duke iu referuar ngritjes së këndit të lojërave në ambientet e Liqenit Artificial, prindër e fëmijë së bashku ngritën duart në shenjë miratimi ndaj pyetjes nëse ishin dakord për një të tillë aty.
Kryebashkiaku Veliaj tha se i mirëkupton aktivistët e shoqërisë civile, duke nënvizuar se ata nuk janë vandalë politikë, por kanë një merak që buron nga klima e dyshimit të mbartur në katër vitet e fundit. “Ata e panë se si në 4 vitet e fundit ‘lulëzoi’ gropa e pallatit 17 katësh, 220 mijë metra katrorë dhe sigurisht, në pamundësi për të luftuar biznesin apo politikën, kanë zgjedhur gabimisht një garë me fëmijët, se mendojnë se me biznesin që ka bërë pallate rreth e rrotull liqenit apo me pronarët e kafeve, nuk fitojnë dot”, tha Veliaj.
Aigarantoi se fëmijët e qytetit të Tiranës janë më të fortë se çdo biznesmen, çdo ndërtues e çdo parti. “Megjithatë, oferta jonë për shoqërinë civile është shumë e qartë. Nëse kanë dyshim, jam gati që sot, që tani, të lidh një kontratë me ta, t’i mbikëqyrin ata punimet e parkut, të jenë aty çdo ditë. Siç është mbikëqyrësi teknik, të jetë edhe një mbikëqyrës i shoqërisë civile. Ofertë më të sinqertë se kjo, që të ngrysen e gdhihen si mbikëqyrës të parkut, nuk ka!”, u shpreh Veliaj.
Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendje se kush ka kaluar në jug të liqenit ka parë që aty janë mbjellë pemë, 2500 në total në të gjithë parkun. “Oferta e dytë është kjo: Nëse kanë dyshim se do të pritet një pemë nga ne që sapo kemi mbjellë 2500, le të vijnë të matrikulojnë çdo pemë, t’i vënë numrin, ta fotografojnë dhe në datën 1 qershor, në ditën e fëmijëve, kur ne do të hapim këndin e lojërave këtu në Tiranë në Parkun e Liqenit, të verifikojnë nëse pemët janë aty! Kjo është oferta jonë, është ofertë transparente dhe e vetmja mënyrë se si mund t’u themi: ‘E justifikojmë dyshimin tuaj, jeni zhgënjyer nga kryetari i kaluar i Bashkisë që fjeti gjumë dhe shkatërroi qytetin’”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se fëmijët janë qendra e vëmendjes për çdo familje dhe bashkia do u japë qendrën e parkut të Tiranës për ta. “Dua t’ju falenderoj me gjithë zemër që në këto ditë, ku histeria ka marrë dhenë dhe arsyeja ka humbur, ku mania për të dalë në televizor dhe kapitalizuar çdo kauzë është kthyer në qëllim më vete dhe jo mjet për të ndihmuar, unë kërkoj që secili prej jush, ashtu siç u bashkuam sot, ndoshta në tubimin më të madh të familjeve të Tiranës, jo për interes partish, por për interesin e fëmijëve, ne të jemi kështu, gjithmonë bashkë, duke komunikuar me sinqeritet edhe ofertën që bëj për shoqërinë civile, për të numëruar çdo pemë dhe ndjekur punimet, por edhe për refuzimin ndaj çdo partie politike që përdor dhunën ndaj fëmijëve apo qytetit”, përfundoi Veliaj.