Nga Bajram Peçi
Guximi i Albin Kurtit për t’i bërë karshillëk Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të rrjedhë nga një arsye e fortë, por guximi pa arsyen-na kujton Seneka-është vetëm një nga llojet e frikës. Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, zoti Artan Muhaxhiri, i qëndron bindjes se “Të gjitha refuzimet që Qeveria e Kosovës i ka bërë deri më tash ndaj kërkesave amerikane, nuk kanë bazë në politikën realiste dhe të dobishme…më shumë mund të jetë ndonjë ideologji e personalizuar e kryeministrit Kurti…”. Dhe ka shumë të drejtë me këtë opinion, është shumë i qartë, është një nga mijërat që i përmbahen kësaj bindjeje!
Qëndrimet kundërshtuese të tij kanë nxitur trushpëlarët si deputeti i pavarur Fatmir Humolli, që të thonë (me tone të larta madje) se Kosovën nuk e ka çliruar USA! Mëndjemadhin kapadai, injorantin dhe budallain, ata që merren me psikologji e sociologji, i fusin zakonisht në një grup, duke u përmendur tiparet e përbashkëta:
-Ndryshojnë pa e ditur përse? Kështu ndodhi me Kurtin, që e kundërshtonte asosacionin e firmosur nga Thaçi, e pranoi në Ohër dhe e refuzoi pas një jave. Nuk thotë pse ndryshoi mendim, përpos se na kujton që Veriu ështe i kriminalizuar dhe më parë duhet pastruar e demokratizuar?!
-Zemërohen kot! Kështu i ndodh sa herë Kurtit, kur kryeministri i shtetit Amë, Edi Rama, nën autoritetin e postit të lartë që mban, këshillon ose jep mendim se si duhet dalë nga kjo krizë, që afërmendsh na përfshin të gjithëve. Deri tani Kurti nuk ka dalë vet, por ka nxjerrë rradhazi një sërë ushtarësh besnikë të shthurrjes së tij mendore, si Adnan Rrustemi dhe Armend Muja, (e të tjerë) për të kundërshtuar Edi Ramën, i cili u ka çuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz. Më tej Akoma, deputeti Rrustemi ka marrë përsipër (ndoshta edhe i porositur) të bëjë ironi të turpshme, duke i thënë se “…kot e dërgon në Berlin e Paris pa e dërguar njëherë te anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Dejona Mihali”.
-Nuk dinë të dallojnë kush u do të mirën e kush të keqen!? Kurti është kryekëput një i tillë. Kapadai e mëndjelehtë, që në shkurt të vitit 2016 ka deklaruar hapur se “…shqiptarët nuk e duan Amerikën dhe as amerikanët”. Ai e ka shprehur këtë me një grup simpatizantësh të mbledhur në protestë para godinës qeveritare në Prishtinë.
Më tej, ky mosmirënjohës i qëllimshëm, u shpjegon me pathos simpatizantëve të tij se mes shqiptarëve dhe Amerikës nuk ka dashuri apo afeksion ndaj vlerave të tyre, por më së shumti është një marrëdhënie e ndërtuar mbi ankthin e braktisjes, …”. Kjo rrokopujë idesh të stisura përmes inatesh i përkasin Albin Kurtit, sot kryeministër i një populli që Amerika e liroi nga skllavëria poshtëruese serbe, një territor që Amerika e bëri shtet.
Kapardisjes së tij tani i ka shtuar dhe arrogancën, ndaj duhet dikush t’i kujtojë se sovranitetin e Republikës së Kosovës, Amerika kur të dojë, kur sheh qorrollepsjen, fuçinë e barutit dhe Kurtin me zjarr në kokë (pse jo dhe në duar?), ja zhvesh dhe e shndërron në protektorat. As Europa dhe as USA nuk duan në zemër të tyre një konflikt që kërkush nuk di se si mund të rrokulliset e çfarë përmasash të rrezikshme mund të marrë, duke vënë në rrezik popujt e paqen?! Pas Ukrainës, edhe këtë konflikt kanë mangut!
Ai dikushi, që mund të jetë vetë populli i Kosovës, mjafton ta shfryjë këtë tullumbace e ta ulë me këmbë në tokë, duke i thënë se pa Amerikën Kosova nuk ka gjasa të egzistojë si shtet i pavarur!