Diego Maradona thotë se prej një kohe të gjatë, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe shefi i futbollit europian, Michel Platini, duhet të ishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe jo pezullim 6- vjeçar për shkelje të etikës.
Dyshja e drejtuesve të lartë të futbollit u pezullua fillimisht për 8 vjet, por kjo masë u reduktua në Apel në 6 vjet këtë javë, për një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane (2.03 milionë dollarë), që ishte bërë për francezin në vitin 2011 nga FIFA, me miratimin e Blatterit, për punën e bërë një dekadë më parë. Të dy ish-drejtuesit mohojnë çdo keqbërje.
“Më duket se vendimi i Komitetit të Etikës në FIFA ishte i gabuar, – tha Maradona, 55 vjeç, për “Reuters TV”. – Duke pasur aq shumë dëshmi kundër këtyre njerëzve dhe duke parë se si ata e kishin grabitur futbollin për kaq shumë vite, duhet të kishin dhënë për të dy burgim të përjetshëm.”
FIFA është kapur në krizën më të rëndë, në historinë e saj 112-vjeçare, me përfshirjen e shumë ish-zyrtarëve të saj në abuzime, të akuzuar për vepra të lidhura me korrupsionin në Shtetet e Bashkuara. Blatter është në mesin e atyre, që do të përballet me një hetim paralel zviceran.
Maradona, i cili luajti 91 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës dhe fitoi Kupën e Botës në vitin 1986, beson se zëvendësimi i Blatter në FIFA nuk duhet të jetë i motivuar nga paratë.
“Unë do të doja të shihja një president, i cili nuk është i interesuar për t’u bërë milioner në sajë të topit, sponsorëve apo Kupës së Botës, sepse kjo është mënyra për të mbledhur një peshë të mirë parash, – shtoi legjenda e futbollit botëror. – Ky është lloji i njeriut që unë dua për të udhëhequr FIFA-n dhe do të ketë mbështetjen time”.
Ai, gjithashtu, e ka quajtur kandidatin e votuar president i FIFA-s, tashmë, Gianni Infantino, deri dje Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, një tradhtar: “Ai është një tradhëtar absolut, për shkak se vazhdon të punojë sikur asgjë nuk po ndodhte, ndërsa shefi i tij (Michel Platini) ishte në mes të akuzave të rënda, i pezulluar për 6 vjet, pothuajse pas hekurave.
Ky është një veprim shumë i gabuar i Infantinos, që kandidoi për president të FIFA-s.”
Telesport