Deputeti i PD, Lefter Gështenja tregoi në emisionin Now në Euronews Albania si nisi konflikti gjatë mbledhjes së kryesisë së PD që përfundoi me përplasje me militantët mbështetës të Bashës.
Gështenja u shpreh se përplasja ishte mes deputetëve të grupit parlamentar të PD si Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Dashnor Sula dhe të tjerë që kërkuan që procesi për zgjedhjen e kryetarit të shtrihej në kohë dhe pjesës tjetër të kryesisë, jo deputetë, që këmbëngulnin në datën 15 korrik për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Në mbledhjen e kryesisë pati debate, kishte paqartësi, thuhej që grupi do të zvarrisë procesin për kryetarin. Bardhi ishte i fundit që mori fjalën, ndër ta e ka ndërprerë Gjana, Bejko, Godole që ishin konstruktivë. Gjana dhe Bejko propozuan që palët të dilnin me një vendim konsensual. U ndamë në dy çështje; njëra pjesë ishte për datën 15 korrik, Bardhi kërkoi të negociohet që të shtrihet procesi në kohë. Pjesa tjetër e kryesisë, që nuk ishin deputetë, kërkonin të votohej dhe ky ishte momenti kur unë, Gaz Bardhi dhe një pjesë e kolegëve vendosëm të dalim dhe të mos votojmë. Këtu nisi përplasja në fillim me njerëzit që gjendeshin në korridor dhe më tej me militantët”, tregoi Gështenja.
/a.r