GJKKO ka shtyrë sërish seancën për ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun. Në seancë u përsërit sërish kërkesa e familjarëve të viktimave për të qenë palë në proces, kërkesë që u pranua.
Ndërsa risi gjatë seancës ka qenë kërkesa e një prej të plagosurve gjatë tragjedisë së Gërdecit. GJKKO mori vendimin për të njoftuar të gjithë 290 personat e dëmtuar të cilët do të marrin pjesë në seancën e rradhës.
Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.
Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.
Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”./m.j