Dy kallëzime penale kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion për ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, hetime që u përmbyllën me arrestimin e tij dhe 9 personave të tjerë.
A2 CNN ka siguruar dosjen e plotë hetimore kundër ish-kryebashkiakut dhe 9 ish-zyrtarëve e biznesmenëve, ku Prokuroria e Posaçme i akuzon për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.
“Rezulton që subjekti si fillim ka marrë leje për shtatë kate (shtator 2010), menjëherë në datën 20 Dhjetor ka dorëzuar kërkesë për rikondicionim dhe shtesë kati, më pas për 3 kate shtesë (11 Maj 2011) dhe si përfundim janë miratuar 4 kate shtesë pa patur asnjë kërkesë të tillë për katër kate, ndonëse sikurse u tha, leja e ndërtimit në fjalë nuk ka hyrë në fuqi në këtë periudhë kohore, por vetëm në datën 14 Tetor 2014, kur është nënshkruar nga ish-kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako dhe ish-kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territorit, personin nën hetim Adhurim Qehajaj.”
Pjesë nga dosja e SPAK
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua por nuk u realizua. Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.
Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë Lekë.
Vangjush Dako – Arrest në burg
Adhurim Qehahaj – Arrest në burg
Ermal Lama – Arrest në burg
Fatmir Ejupi – Arrest në burg
Adrian Bulku – Arrest në burg
Fiqiri Farruku – Arrest në burg
Adnand Toccila- Arrest në burg
Meri Semini (Priftuli) –Arrest në shtëpi
Ferzilet Hajderi – Arrest në shtëpi
Diana Dedja – Arrest në shtëpi
10 të akuzuarit në dosjen e Dakos
/a.r