Çështja e dokumenteve të klasifikuara që ish-Presidenti amerikan Donald Trump mbante në rezidencën e tij ka marrë një drejtim të ri, pasi sipas CNN prokurorët kanë dyshime për një incident që ka ndodhur brenda Mar-a-Lagos.
Dyshimet lindën pasi një punonjës në rezidencën e Trump teksa thau pishinën e resortit për t’a pastruar përfundoi duke përmbytur një dhomë ku mbaheshin serverët kompjuterikë që përmbanin regjistrimet e kamerave të sigurisë.
Teksa është e paqartë nëse dhoma është përmbytur qëllimisht ose nëse ndodhi gabimisht, incidenti ndodhi mes një sërë ngjarjesh që prokurorët federalë i konsiderojnë shumë të dyshimta.
Të paktën një dëshmitar është pyetur nga prokurorët për dhomën e përmbytur të serverëve si pjesë e hetimit federal për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump, sipas një prej burimeve të CNN.
Incidenti, i cili nuk është raportuar më parë, erdhi afërsisht dy muaj pasi FBI-ja mori qindra dokumente të klasifikuara nga rezidenca në Florida dhe ndërsa prokurorët morën pamjet e kamerave të sigurisë për të gjurmuar se si materialet u zhvendosën nga Shtëpia e Bardhë në resort.
Prokurorët kanë dëgjuar dëshminë se pajisjet e IT në dhomë nuk janë dëmtuar nga përmbytja. Megjithatë, dhoma e përmbytur, si dhe bisedat dhe veprimet e punonjësve të Trump, ndërkohë që hetimi penal vazhdonte, ka tërhequr vëmendjen e prokurorëve.
Rrethanat mund të ndikojnë në një rast të mundshëm konspiracioni pengimi, thonë burime të shumta për CNN, ndërsa hetuesit përpiqen të përcaktojnë nëse ngjarjet e vitit të kaluar rreth Mar-a-Lago tregojnë se Trump ose një grup i vogël njerëzish që punonin për të, ndërmorën hapa për të ndërhyrë në mbledhjen e provave nga Departamenti i Drejtësisë.
Dhjetëra njerëz nga stafi i resortit në Mar-a-Lago deri tek anëtarët e rrethit të brendshëm të Trumpit në rezidencë janë thirrur për të dëshmuar përpara jurisë së madhe federale që heton trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga ish-presidenti dhe pengimin e mundshëm të drejtësisë.
Kohët e fundit, hetuesit kanë bërë pyetje që tregojnë se po përpiqen të përcaktojnë nëse punëtorët në Mar-a-Lago morën udhëzime specifike nga lart, veçanërisht nga vetë Trump, për të penguar hetimin.
Hetuesit kanë pyetur në javët e fundit punonjësit e Trump nëse është e mundur të ketë boshllëqe në pamjet e vëzhgimit që u kthyen dhe nëse ato mund të ishin ngatërruar, sipas burimeve. Ky detaj u raportua për herë të parë nga New York Times, por zyra e prokurorit special nuk pranoi të komentojë për këtë histori.
/a.r