Drejtuesi i Rithemelimit ka përsëritur në seancën e sotme plenare thirrjen për protesta në kuadër të asaj që opozita e ka cilësuar si “maskarda e 14 majit.”
Në fjalën e tij, Sali Berisha akuzoi mazhorancën se ka manipuluar rezultatin e 14 majit me “zgjedhës fantazmë”. Këta të fundit, sipas ish-kryeministrit, kanë votuar mbi një herë dhe në qytete dhe vende të ndryshme.
Sipas Berishës, “zgjedhësit fantazmë” në të gjithë vendin janë 547 mijë.
“Në Bashkinë e Vlorës ata arrinin në 29 për qind, në Bashkinë e Vorës 15 për qind, në Përrenjas 28 për qind, në Kurbin 30 për qind, në Konispol 34 për qind, në Has 18 për qind, në Kamëz 21 për qind, në Durrës 23 për qind, në Shkodër 16 për qind, në Devoll 20 për qind, në Delvinë 34 për qind, në Mallakastër 11 për qind dhe kështu me radhë. Është kjo ushtri e zgjedhësve fantazmë që u përdor masivisht për të mashtruar rezultatin e zgjedhjeve më 14 maj, krahas faktorëve të tjerë”, shpjegoi Berisha.
Sali Berisha theksoi se ka vetëm një mënyrë që qytetarët të votojnë të lirë dhe kjo zgjidhje, sipas tij, janë protestat.
/a.r