Detaje të rënda janë zbuluar në lidhje me krimin e rëndë në familje që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Përmet, në lagjen ‘Partizani’, ku 68-vjeçarja Zeniat Muhollari, u vrarë nga djali i saj 24-vjeçar Albi Muhollari.
Sipas të dhënave më të fundit, autori, në gjendje depresioni ka mbytur me plastmas të ëmën. Të dy prej kohësh jetonin në Amerikë, ndërsa ishin kthyer vetëm 4 ditë më parë në Përmet për pushime.
“Në burg duhet të futet doktori, jo im bir”.
Kjo ishte fjalia e vetme që i thoshte babai i 24-vjeçarit hetuesve, të cilët në orët e vona të mbrëmjes mbërritën në banesë për të mbledhur provat dhe marrë dëshmitë që do të ndihmojnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë.
I tronditur nga ngjarja, babai bën me faj doktorin që nuk kishte marrë masa për ta vendosur në një institucion të përshtatshëm edhe pse disa herë i kishin shprehur shqetësimin për agresivitetin e 24-vjeçarit.
Prindërit shpesh kanë qenë të shqetësuar për sjelljen agresive të djalit të tyre. Madje, ata kanë pasur frikë se mos djali i tyre u bënte keq të afërmve apo dhe njerëzve të tjerë, pa ditur se viktimë do të ishte njëri prej tyre.
Çifti Muhollari janë prindër të 4 fëmijëve, Albit dhe 3 vajzave. I riu kishte vite që jetonte në Amerikë.
Nuk dihet nëse në banesë ka pasur familjarë të tjerë në momentin e krimit të rëndë si dhe nuk ka të dhëna nëse i riu kurohej për depresionin.
Policia menjëherë pas marrjes së njoftimit është vënë në ndjekje të autorit dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Përmet, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.