Adem Demaçi ka folur për Albin Kurtin, kryeministrin aktual të Kosovës, në një intervistë të dhënë për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip, të 17 shkurtit 2014.
Gazetarja Rudina Xhunga i drejtoi këtë pyetje zotit Demaçi:
Albin Kurti ka qenë shumë i lidhur me figurën tuaj. Tani, sa larg është Albin Kurti nga Adem Demaçi?
Ai u përgjigj:
“Unë kam qenë edhe anëtar i Vetëvendosjes, kemi dalë bashkë në demonstrata, kemi mbajtur fjalime bashkë dhe unë kam bërë çmos që sa herë më kanë ftuar jashtë i kam kërkuar Albinit të shkonte ai, pasi unë nuk e dija anglishten. Domethënë, jam përpjekur t’i jap mundësi Albinit të përparojë si djalë i ri, sepse unë jam vetëm për situata emergjente, kur është Kosova ngushtë. Por kur Kosova është pak a shumë mirë, nuk kam ambicie që të bëhem ndonjë farë pushtetari, pasi unë nuk mund të duroj situata të tilla kur njerëzit të jenë të papunë e unë të kem punë, ose të ketë njerëz pa shtëpi e unë të kem shtëpi. Këto gjëra më vrasin shumë, gjithmonë nëse do isha në situatën ku do mund të merrja vendime.
Kur jam kështu si tani, ku askush nuk pret diçka nga unë, fle më rehat. Mirëpo ndodhi ajo që Albini eci përpara, por në një moment shkoi aq larg sa disi u larguam. Albini është djalë trim, Albini është padyshim atdhetar, Albini e do Kosovën sikurse dhe ne që e duam lirinë mirëpo Albini sikur nuk është fort në gjendje t’i nuhasë punët dhe kështu mundohet t’i mëshojë më shumë me trup, por i del më gjatë. Këto janë vërejtjet e mia që ia kam thënë edhe atij edhe pse them se një parti e tillë, Kosovës i duhet që ta dinë si Serbia ashtu edhe të tjerët që nëse nuk do të ndërrojë politika e nënës sonë të madhe, Evrope, dhe mikes sonë tradicionale Amerika, ndaj Kosovës që ta përkrahin Kosovën që të dalë nga kjo varfëri dhe nga ky pazhvillim atëherë ka një parti që i mbron ata.
Një shtet me 5% eksport dhe 95% import, nuk mund të mbahet me këmbët e veta, të mos flasim pastaj për kriminalitetin, hajnitë. Për shembull, gati gjysma e kapaciteteve të ndryshme që punojnë në Kosovë, nuk paguajnë tatime, vetëm gjysma paguan dhe ajo gjysma paguan pasi është e lidhur në mënyra të tilla me politikën dhe ato pará shkojnë nëpër xhepa që nuk dihet se ku shkojnë e si shkojnë. Kështu, po i bëhet një dëm i madh ekonomisë kosovare. Pastaj, nuk ka njerëz të aftë që do të jenë në gjendje ta vënë në lëvizje një kapital aq të vlefshëm siç është toka e Kosovës, kullosat e Kosovës domethënë aktivizimi i bujqësisë me të gjithë kapitalin e vet dhe mbi atë bazë të ndërtohet e ngrihet një ekonomi e industrisë së lehtë, përpunuese të të gjitha këtyre prodhimeve që do të mund t’i bënte Kosova”.