Jo vetëm që po ha “bukë si në hotel”, por edhe që “kurrë ma mirë s’kam qenë” po e dëshmon në plotni Kryetari legal i Leposaviqit nga Lëviza Vetëvendosje, Lulzim Hetemi. Hetemi, në objektin zyrtar komunal i mbyllur që nga e hëna, ka gjetur mënyra për të kaluar kohë rekreative e argëtimi: pëlqimin dhe komentimin e modeleve të bukurisë. Hetemi, për të cilin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk shkoi në takim me Ambasadorin e ShBA’së Jeffrey Hovenier, ngase “ishte në orar të punës”, megjithatë, del që në orar të punës s’e ka problem të shohë “miss”-at e bukurisë në rrjetet sociale.
Mejreme Hajdaraj, një vajzë që ka fituar në Egjipt kurorën “Miss Elite World 2023” del se ia ka rrëmbyer fort zemrën Kryetarit Hetemi në Facebook. Ky i fundit i komentoi “Respekt për Bukuroshen” teksa i bashkëngjiti edhe flamurin (e zhvendosur në kat të dytë të objektit komunal) të Kosovës miss-it kosovar. Kjo pasi bukuroshja në fotografi pozoi me flamurin shtetëror të Kosovës; pikërisht pika më e fortë për flirt e Hetemit…flamuri.
Është që nga e hëna e hershme që Lulzim Hetemi gjendet brenda objektit të stërmbrojtur nga dy formacione të sigurisë, me nivel mbrojtje të njësive policore dhe të forcës ushtarake të superfuqisë amerikane. Më shumë se Hetemi – mund të argumentohet – nuk është i mbrojtur as Presidenti i ShBA’së.
Lulzim Hetemi, në një përgigje për Albanian Post, do të bëhej hit në rrjetet sociale me fjalët e thëna. “Kurrl më mirë s’kam qenë”, kishte thënë ai në rend të parë, ndonëse kishte kaluar më shumë se 60 orë (në kohën kur ishte bërë biseda) nga objekti.
“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin… Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë”, kishte thënë Hetemi.
“Ata kanë shkuar në orarin e tyre të punës dhe kjo nuk do të thotë që nuk do ta takojnë sërish. Mirëpo, ai ka qenë orari i punës dhe në ato momente është vlerësuar që është e rëndësishme të jenë aty. Unë besoj që këta ambasadorë së shpejti do t’i vizitojnë në ato zyra, është njohur procesi zgjedhor dhe rezultati, ne nuk mund të krijojmë struktura paralele ndaj strukturave paralele të Serbisë.”, tha Kurti./Nacionale