Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka vizituar ditën e sotme Gjirokastrën. Në vizitën e saj zyrtare ambasadorja Kim, gjithashtu zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Bashkisë Flamur Golemi i cili i dorëzoi “Çelësin e qytetit”.
Në fjalën e saj ambasadorja Kim u shpreh: “Gjirokastra është një nga vendet më të bukura në Shqipëri. E vërteta është në fakt që bota po mëson për Gjirokastrën dhe një pjesë e imja do donte që e gjithë bota ta dinte dhe njohë, por një pjesë tjetër do donte që ta ruante të fshehtë sepse është e bukur. Shpresoj që sa më shumë njerëz të vijnë në Shqipëri dhe në Gjirokastër do ta çmojnë këtë vend si thesar të çmuar, të vijnë të vizitojnë këtë qytet të gurtë me ato çati të vendosura mbi njëra-tjetrën, por mbi të gjitha për zemrën e artë që kanë qytetarët.”
Nga ana e tij kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi u shpreh: “Edhe në emër të qytetarëve gjirokastritë, kam privilegjin dhe nderin sot ti jap “ Çelësin e qytetit” një mike të shqiptarëve por të gjirokastritëve në veçanti. Sot në fakt ne po bëjmë një takim zyrtar, por ambasadorja ka qenë në Gjirokastër më shumë se 10 herë fizikisht dhe shumë më shumë se kaq ka bërë për Gjirokastrën, për turizmin e Gjirokastrës, promovimin e Gjirokastrës në Tiranë, Shqipëri, por edhe jashtë trojeve shqiptare.
Fakti që numri i turistëve gjithmonë e më shumë po shtohet, në 2022 ne kemi patur rreth 200 mijë turistë janë edhe shumë turistë amerikanë që na vijnë në Gjirokastër. Patjetër këtu është edhe merita, mbështetja dhe puna me përkushtim e ambasadores dhe që sot e tutje mikes së Gjirokastrës dhe do ta presim jo më si ambasadore por si një qytetare që tashmë ka çelësin e këtij qyteti magjik”.
/s.f