Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u përball me kritika nga një aleat i ngushtë pasi tensionet etnike janë ndezur sërish në Ballkan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, goditi Blinken, i cili kishte kritikuar qeverinë e Kosovës për “veprimet që ajo ndërmori kundër këshillës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë”, thuhet në një deklaratë nga Blinken, raporton Fox News.
Kurti nuk u tërhoq, duke i thënë gazetës “The Guardian” në një intervistë: “Unë mendoj se nuk është thjesht e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”. Ai tha gjithashtu se komentet po e zbusin presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës injoroi kërkesën e Blinkenit për të ndryshuar kursin dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do të nxisnin tensionet. Kurti tha se policia e Kosovës do të qëndrojë në rajonin e veriut me shumicë serbe, një veprim që SHBA-ja beson se nuk do të ndihmojë në zbutjen e situatës. Si përgjigje, SHBA-ja njoftoi se po anulonin pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet e ardhshme ushtarake të NATO-s.
I pyetur për koment mbi kritikat e Kurtit, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit referoi “Fox News Digital” t’i drejtohet komenteve të Blinkenit në Norvegji të enjten, ku ai tha: “Përshkallëzimi atje dhe veprimet e ndërmarra atje e çojnë Kosovën dhe Serbinë në drejtimin e gabuar, sepse përgjigja që ne kërkojmë që është çtensionimi, shmangia e çdo veprimi të njëanshëm dhe kthimi në këtë proces normalizimi dhe përpjekjeve të udhëhequra nga BE-ja (sepse) kjo është ajo që u premton të dyve një të ardhme integrimi në komunitetin euroatlantik”, tha Blinkeni gjatë konferencës së tij për shtyp në Oslo.
Blinkeni tha se SHBA-ja do të kundërshtojë çdo veprim që do të ndërmarrë secili vend që do ta bënte integrimin në BE një perspektivë më të largët.
“Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit që janë ndërmarrë. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejt liderëve të përfshirë, duke përfshirë kryeministrin Kurti. Dhe ne po kërkojmë që të dy të veprojnë me përgjegjësi në vazhdim”, shtoi Blinkeni.
Në këtë debat u përfshi edhe Presidenti francez Emmanuel Macron dhe fajësoi drejtpërdrejt Kurtin dhe Kosovën për konfrontimin. Me qortimin e Kurtit si aleat, SHBA-ja është akuzuar nga disa qarqe diplomatike se ka marrë anën e Vuçiçit, i cili ka qenë vazhdimisht aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.
“Unë nuk mendoj se deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara apo Franca domosdoshmërisht nënkuptojnë se ata janë në anën e Vuçiçit aq sa janë thjesht kritikë ndaj vendimit të qeverisë Kurti për të dërguar kryetarët e komunave në zyrat e tyre dhe për këmbënguljen se ata kanë legjitimitet për të qeverisur, duke e ditur shumë mirë se kjo ka të ngjarë të ndezë tensione”, tha Helena Ivanov, bashkëpunëtore në “Henry Jackson Society”, për Fox News Digital.
“Përgjithësisht, mendoj se Perëndimi vetëm dëshiron që gjërat të qëndrojnë qetë dhe do të kritikojë çdo lëvizje që ka gjasa të ndezë tensione, prandaj edhe toni kritik ndaj Kosovës”, shtoi Ivanov.
Duke u përballur me presionin në rritje nga evropianët, presidentët e Serbisë dhe Kosovës u takuan në Moldavi për të diskutuar mënyrat e uljes së tensioneve të enjten. Reuters raportoi se pas takimit të saj me Vuçiçin, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e akuzoi atë se “ankohet dhe … nuk e thotë të vërtetën”.
Osmani, megjithatë, ofroi disa shpresa duke thënë se Kosova mund të mbajë zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve nëse ato do të nxiteshin legalisht. Vuçiç u largua pa komentuar për mediat, sipas Reuters.
Për krizën e fundit në veri, Kurti fajësoi Vuçiçin për nxitjen e tensioneve dhe ndezjen e asaj që ai e quajti një “turmë fashiste” që sulmoi forcat e NATO-s.
/a.r