Deputetët dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike zyrtare janë duke përgatitur propozimet e tyre për bashkimin e demokratëve, të cilat do t’i paraqesin në mbledhjet e thirrura nga Gazment Bardhi.
Për A2CNN, deputeti dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë, Flamur Hoxha tregon se formula e bashkimit të grupimeve në PD mund të nisë me përcaktimin e një drejtimi kolegjial nga të dyja palët, por ai drejton gishtin edhe nga grupi i “Rithemelimit” nga të cilët kërkon të ngrenë zërin ndaj përgjegjësit për humbjen e 14 majit.
“Ashtu siç ngritëm ne zërin në 6 mars, ashtu duhet të ngrenë zërin edhe ata të kampit tjetër të lexojnë realitetin, PD s’ka nevojë për kryetar, por mund të jetë një drejtim kolegjal nga të dyja palët që të bashkojë bazën fillimisht, nuk pres të bashkohen të gjithë deputetë, por demokratët po”, u shpreh Hoxha.
Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti Lefter Gështenja,i cili kërkon edhe analizë për situatën ku ndodhet PD.
“Të gjithë duhet të punojmë për bashkimin e demokratëve, ajo që kemi më shumë nevojë është një drjetim kolegjal të bëjmë një analizë, të flasin me njëri-tjetrin”, u shpreh Gështenja.
Të pyetur se si e shohin rikthimin e mundshëm të Lulzim Bashës për të drejtuar sërish PD, Hoxha dhe Gështenja vendosin theksin se demokratëve i duhet një lidership i ri.
“PD ka nevojë për drejtues të rinj. Është një vendim i tij, do ta komentoj kur ky njeri të deklarojë zyrtarisht se do të kandidojë”, tha Hoxha.
“PD ka nevojë për lider të ri, takimet që bën Basha them që udhët të bëjmë dhe ne edhe gjatë këtij viti që pothuajse s’kemi qenë pranë demokratëve. Hapja e partisë është kryefjala që PD të kthehet në forcë fituese”, pohuan për A2CNN deputetët Hoxha dhe Gështenja.
“Të hapim partinë edhe nëse duhet të mos jem më deputet, s’mund të shikojë interesat tona për 2025 apo më tej, duhen të rinj partia s’mund të rri peng për tekat e një ish-kryetari dhe të një kryetari apo ai që do të vij të copëtohet partia për interesat e tyre”, deklaroi Hoxha.
“Duhet të afrojmë intelektualë, ta bëjmë partinë me të madhe se ajo e 2021, të afrojmë ata që bëjnë opozitë të vërtete, të bëjmë të rinj të votojnë në zgjedhjet ardhshme ky është çelësi, duhet të krijojë një PD model, një ekip të ri drejtues”, tha Gështenja.
Në 5 qershor do të mblidhet grupi parlamentar demokrat, teksa një ditë më pas do të zhvillohet edhe takimi i kryesisë së PD.
A2News