Mediat greke kanë sulmuar sot ashpër kryeministrin Edi Rama. Kjo ka ardhur pas deklaratës së kryeministrit se Shqipëria nuk mund të pranojë refugjatë nga Lindja e Mesme, në kohën kur shtetet evropiane më të fuqishme po mbyllin kufijtë. Për këtë arsye, mediat greke kanë nisur një fushatë kundër Shqipërisë. Kjo, pasi në Greqi kanë mbetur të bllokuar qindra refugjatë, duke qenë se Maqedonia ka mbyllur kufijtë. Gjatë gjithë këtyre ditëve, mediat e vendit fqinj kanë raportuar se emigrantët tashmë kanë mbërritur në kufirin me Shqipërinë dhe se vendi ynë po merr masa për strehimin e tyre të përkohshëm në Gjirokastër.
Por, deklarata e Ramës ka bërë që mediat greke t’i kujtojnë shqiptarëve se kanë kaluar vetëm 25 vjet kur ata u vërsulën drejt Shqipërisë dhe Italisë, njësoj si edhe refugjatët sirianë në ditët e sotme. Përmes këtyre shkrimeve, këto media kërkojnë indirekt që Shqipëria të hapë kufijtë për të pritur disa prej emigrantëve dhe për të lehtësuar Greqinë, e cila është në kolaps për shkak të bllokimit të refugjatëve në shtetin helen. “Ishte vetëm 25 vjet më parë”, është kryeartikulli i portalit online ‘Epirus Post’ të Greqisë së veriut.
Ja çfarë shkruan ndër të tjera kjo media:
“Kryeministri Edi Rama me linjën e ashpër për mbylljen e kufijve harron shpejt se kanë kaluar vetëm 25 vite..1991. Brenda dy muajve më shumë se 10 mijë shqiptarë gjetën strehim në Greqi. Shqiptarët në atë kohë ishin njerëz që jetonin në emigracion.
Një lidership politik i njerëzve të tillë duhet të tregojë më shumë ndjeshmëri. Por, oportunizmi dhe interesat rezultojnë më të fuqishme“.