Kryeministri Edi Rama foli në Forumin e Gruas në PS nga ku tha se barazia gjinore është njëra ndër themelet e kësaj partie. Rama shtoi se shembull për këtë votimet për kongresin e PS-së ku do të zgjidhen 50% gra dhe 50% burra. Sipas Kryeministrit shumë shpesh opozita e ka akuzuar atë në lidhje me raportin me gratë, një rast të cilin Rama e shfrytëzoi për të bërë batuta.
“Psh unë në këtë sallë jam njeriu me më shumë të meta… ne sulmohemi sepse i shohim gjërat ndryshe dhe nuk ngurrojmë ta themi hapur këtë gjë, duke vënë në vështirësi shumëkënd që mendon me steriotipe.
Jam i nderuar që jam një burrë në mes të kaq shumë grave… Ju keni dëgjuar që edhe këtë ma përflasin shumë, por keq shumë, por unë nuk kam cfarë të bëj se jam kryeministër ngaqe jam socialist… por duan sduan jam edhe artist! Dhe të jesh socialist dhe artist dhe të mos jesh i emocionuar kur ke përpara gra dhe vajza është e pamundur. Unë nuk pranoj leksion nga burra që abuzojnë me gratë, sic abuzuan me atë të shkretën që unë i thashë ‘’motër’’, ata thoshin “monstër’’, se duan të luftojnë me ne.” – tha Rama.
Kryeministri i është referuar grave Ministre të kabinetit duke thënë se qeveria e majtë ka më shumë gra se çka patur në 23 vite të marra së bashku.
“Gratë ministre kanë sjellë më shumë sesa ekuilibër të ri nga pikëpamja e statistikës së përfaqësimit por edhe cilësi të re, si ministrja e Arsimit model i shkëlqyer libershipi dhe kapaciteti për të përfshirë në dialog të gjithë aktorët e faktorët që përfaqësojnë interesa të caktuara në procesin e reformës në arsim. Më vjen keq për gjithë profesorët e doktorët që e kanë drejtuar burrërisht MAS, që një mësuese gjimnazi është ministri më i mirë i arsimit në 25 vjet që Shqipëria ka prodhuar”- tha ai.
Sipas tij, profesorët e doktorët nuk e pranojnë, përpiqen të provojnë të kundërtën, “por sa më shumë bëjnë të kundërtën, unë bindem që jo vetëm ka qenë zgjedhja më e mirë, por jemi duke i bërë shërbimit më të madh ndaj fëmijëve që u hoqëm një burrë nga qafa në MAS”.