Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se bashkimi i opozitës konkretisht i Partisë Demokratike nuk është i mundur nëse deputetët do të ndjekin individë të caktuar si Berisha apo Basha.
Në një lidhje ‘skype’ me gazetarin Nertil Agalliu për studion e Report TV, duke folur për mundësinë e bashkimit të PD, Shehi tha mund të bëhet realitet deri në vjeshtë nëse do të ketë dakokrdësi mes deputetëve rreth disa politikave të caktuara dhe jo rreth personave fizikë si Sali Berisha apo Basha.
“Unë gjykoj se nuk është shumë larg nëse do ketë urtësi nga shumica e atyre deputetëve që janë brenda. Jam i bindur se ndoshta nga vjeshta opozita mund të organizohet në atë lloj mënyre për t’i dhënë shpresë qytetarëve. Njerëzit opozitarë janë aty, me rreth 600 mijë vota që ishin kundër qeverisë në këto zgjedhje”- tha Shehi.
Ai shtoi më tej se të dy si Basha ashtu edhe Berisha janë tashmë njerëz të sporvuar disa herë dhe se rezultati tashmë dihet. Sipas tij, bashkimi brenda opozitës mund të vijë nga organzimi i aksioneve të përbashkëta politike që më pas do të çojnë edhe në bashkimin numerik në Kuvend.
“Bashkimi nuk bëhet më mbas njerëzve, aq më tepër pas këtyre njerëzve. Bashkimi bëhet ndaj një teze apo programi politik. Unë propozoj kolegëve të tjerë të puqemi për të qarë disa ide të mëdha politike. Individët që përmendët ju fatkeqësisht janë provuar shumë herë. Është lodhje e madhe për Shqipërinë të merremi se kush është gjeli më i rëndësishëm opozitar. I ftoj që përmes aksioneve politike të bëhet edhe bashkimi numerik brenda opozitës”-shtoi kreu i LZHK.
/s.f