Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen e tij si President i Kosovës. Kreu i Shtetit i ka uruar suksese Thaçit në detyrën e re dhe shprehet se nën drejtimin e tij në krye të Kosovës, shteti më i ri në Europë do të çojë përpara sfidat e nisura.
“I nderuar Zoti Thaçi,
Zgjedhja juaj në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, më jep kënaqësinë e veçantë që t’ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore. Ju uroj gjithashtu shumë sukses në përmbushjen e kësaj detyre të lartë, si dhe në përballimin me sukses të sfidave me të cilat përballet aktualisht Kosova dhe shoqëria e saj. Jam i sigurt se falë eksperiencës suaj në pavarësinë dhe progresin e Kosovës, arritjet e deritanishme do të përmirësohen më tej, si në plan të brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Duke ju siguruar për një bashkëpunim të ngushtë, ju lutem pranoni i nderuar President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!