Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të mbledhin informacione mbi raportet për sulme me dron në Moskë, tha Shtëpia e Bardhë të martën, më 30 maj, dhe përsëriti se Uashingtoni nuk i mbështet sulmet brenda Rusisë dhe është i fokusuar në ndihmën e Ukrainës për të rimarrë territorin e saj.
“Ne i kemi parë lajmet dhe jemi ende duke mbledhur informacione për atë që ka ndodhur. Në përgjithësi, ne nuk i mbështesim sulmet brenda Rusisë”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi tha se Uashingtoni është “i fokusuar në sigurimin e pajisjeve dhe trajnimeve për Ukrainën”, tha ai.
Moska u sulmua me dronë të martën, më 30 maj, dhe Ministria e Mbrojtjes tha se të gjithë këta dronë u shkatërruan teksa po i afroheshin kryeqytetit rus dhe deri më tani nuk ka pasur raportim për viktima.
Rusia tha se dronët ukrainas goditën zonat e pasura të Moskës të martën, duke synuar zonat ku banojnë presidenti Vladimir Putin dhe elita të tjera ruse.
Një përfaqësues i shërbimeve të urgjencës tha për agjencinë e lajmeve ruse RIA Novosti se dronët goditën dy ndërtesa banimi në Moskë. Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.
Ligjvënësi rus Maksim Ivanov tha se ky ishte sulmi më serioz ndaj Moskës që nga sulmet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shtuar se asnjë qytetar tani nuk mund t’i shpëtonte atij që ishte një “realitet i ri”.
Ndihmësi i Presidentit të Ukrainës, Mihailo Podoljak, megjithatë, mohoi përfshirjen e Kievit.
“Sa i përket sulmeve, sigurisht që ne jemi të kënaqur që e shohim këtë dhe parashikojmë një numër të shtuar të sulmeve të tilla. Por, natyrisht, ne nuk jemi të përfshirë në to”, theksoi Podoljak.
Dy persona u plagosën në incidentet, tha kryebashkiaku i Moskës.
Putin tha se sulmi i së martës ishte një përpjekje për të frikësuar dhe provokuar Rusinë dhe se mbrojtja ajrore rreth kryeqytetit do të forcohej./ REL