EKSKLUZIVE/ Ish- kryeari I PD-së, Tritan Shehu, në një prononcim për Javanews bëri të ditur se në diskutimet e PD-së janë të gjitha alternativat në tryezë, lidhur me marrdhëniet që ajo do të ketë me Parlamentin në javët në vazhdim. Sipas tij, për momentin nuk bëhet fjalë për bojkot, por për një marrdhënie të kushtëzuar me Kuvendin. “Ende nuk ka një vendim për bojkot. Gjërat do të shikohen hap pas hapi. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një dorëzim të mandateve të deputetëve, nëse Kuvendi vijon të mos zbatojë ligjin për dekriminalizimin”, theksoi Shehu. Sipas tij, pastrimi i Kuvendit duhet bërë në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë mëdyshje, duke mbyllur në këtë mënyrë përfundimisht derën në të ardhmen që në Kuvend të mund të hyjnë persona të inkriminuar.
Shehu nënvizon se ajo që bie për momentin në sy është fakti se PS-ja nuk është e interesuar që të implementohet ligji për “Dekriminalizimin”, për të cilën palët kanë rënë dakord. “Ka qenë një përpjekje e madhe e PD-së që ky ligj të formulohet dhe të miratohet. Mendoj se lufta kundër kriminalizimit të politikës dhe kundër korrupsionit është jetike për vendin. Është absurde të mendosh që në gjithë parlamentet e botës diskutohet për ligje, libra, debate nivelesh kulturore politike , ndërsa në parlamentin tonë çështja numër 1 është kthyer ligji për “Dekriminalizimin” e Kuvendit”, shprehet Shehu për Javanews. Sipas tij, edhe tensionet e fundit në Kuvend, janë rrjedhim i përpjekjeve të PD-së për të dhënë mesazhe të qarta që ligji për “Dekriminalizimin” duhet zbatuar. “Nëse Kuvendi dhe shumica parlamentare nuk zbatojnë ligjin për “Dekriminalizmin” të gjitha opsionet janë në tryezën e diskutimeve të PD-së, deri edhe tek dorëzimi i mandateve të deputetëve”, përfundon Shehu prononcimin për Javanews.
(javanews.al) Me. Ar