Pas dy të shtënave masive të fundit në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç u zotua të çarmatosë praktikisht vendin e tij, duke zbatuar një amnisti njëmujore për armët e paligjshme. Vuçiç pezulloi dhënien e lejeve të reja të armëve, shtrëngoi rregulloret për pronarët dhe premtoi ndryshime. Amnisti të mëparshme dhe masa më të rrepta të kontrollit të armëve janë futur në të kaluarën, por kritikët argumentojnë se zbatimi mungon.
Pronari i licencuar i armëve, Narcis Selimiç, dorëzoi pistoletën e tij si një përgjigje personale ndaj të shtënave të fundit në shkollë.
Narcis Selimiç, pronar i licencuar i armëve: Vendosa të bëj diçka, si përgjigje ndaj të shtënave masive që ndodhën në shkollë dhe në fshatin ku humbën jetën tetë persona. Më lindi ideja të jap shembull në rrethin tim të ngushtë të miqve por edhe tek djali im 11-vjeçar që kam.
Që nga 8 Maji, sipas Bojana Otovic Pjanoviç, një zyrtare nga Ministria e Brendshme, janë dorëzuar mbi 26,094 armë zjarri, 1.3 milion fishekë dhe 6,333 copë municione. Megjithatë, politikanët e opozitës i shohin këto përpjekje si një lëvizje populiste që nuk arrin të adresojë çështjen themelore të armëve të paligjshme dhe dhunës shoqërore.
Jelena Jerinic: Këto masa tani duken populiste dhe nuk mendoj se mund të bëhen shpejt, duke pasur parasysh sasinë e parashikuar të armëve që ekzistojnë. Mendoj se është një proces afatgjatë dhe se duhet fillimisht të flasim për faktin se ky proces është i domosdoshëm.
Përhapja e armëve të nivelit ushtarak gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë kontribuoi në një kulturë të rrënjosur thellë të përdorimit të tyre në Serbi. Krimi i organizuar dhe paraushtarakët e ndryshëm nacionalistë të sponsorizuar nga shteti lulëzuan gjatë dhe pas luftërave, me dhjetëra njerëz të vrarë deri në fillim të viteve 2000.
Shtrirja e problemit aktual të armëve të paligjshme është e vështirë të përcaktohet, me vlerësimet e armëve të zjarrit të paregjistruara që variojnë nga 90,000 deri në 700,000. Edhe pse Serbia tashmë ka ligje relativisht të rrepta për armët në krahasim me vendet e tjera evropiane, ekspertët besojnë se çarmatosja e popullsisë dhe zgjidhja e çështjes do të kërkojë një qasje afatgjatë.
Shumë nga armët që vërshuan në Serbi dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor pasi Jugosllavia u shpërbë, përfunduan në duart e privatëve, shprehet profesori i historisë në Universitetin e Beogradit, Aleksandar Zivotic. Tregtia ilegale e armëve në tregun e zi të viteve 1990 shiteshin deri në 10 Dollarë dhe pushkë sulmi për 150 Dollarë, me shumë armë të kontrabanduara jashtë vendit. Serbia dhe Mali i Zi kanë numrin më të lartë të vlerësuar të armëve të zjarrit civil për 100 banorë në Evropë, me 39.1.
Midis 2012 dhe 2016, Serbia regjistroi 10,061 krime të lidhura me armë, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja fqinje raportuan përkatësisht 6,815 dhe 5,616, sipas të dhënave nga SEESAC, një organizatë rajonale për kontrollin e armëve të mbështetur nga OKB dhe BE. Pronësia e armëve është e lartë në Serbi, por lloji i të shtënave masive që shihen çdo ditë në Shtetet e Bashkuara janë jashtëzakonisht të rralla në vendin ballkanik dhe të shtënat në shkolla ishin praktikisht të padëgjuara më parë.
Gjithçka ndryshoi kur një djalë 13-vjeçar hapi zjarr ndaj shokëve të klasës në një shkollë në kryeqytetin Beograd, duke vrarë të paktën tetë fëmijë dhe një roje sigurie. Adoleshenti qëlloi me 57 plumba brenda shkollës fillore Vladislav Ribnikar, një shkollë prestigjioze në një lagje të pasur të Beogradit. Policia deklaroi se ai ishte jashtëzakonisht i aftë në mënyrën se si e trajtonte armën.
Por pa kaluar kjo tragjedi një tjetër masakër në vetëm dy ditë trunoditi opinionin publik kur një person i armatosur 21 vjeç vrau tetë persona në fshatin Dubona, në jug të kryeqytetit.
Reagimi ishte i shpejtë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç premtoi, vetëm disa orë pas të shtënave të dytë, se qeveria do të bëjë ndryshime urgjente në legjislacionin e vendit për armët e zjarrit. Ai propozoi kushte më të ashpra për njerëzit që dëshirojnë të blejnë armë dhe një program kombëtar për blerjen e armëve për ata që nuk mund t’i përmbushin këto kushte.
Dane Vulin, gjuetar i licensuar: Unë nuk dua që si gjuetar dhe pronar i një arme legale kushedi sa kohë, mund dhe burime financiare kam investuar në të të pranoj një faj kolektiv. Jo vetëm unë, por 70 deri në 80 mijë prej nesh gjuetarët në Serbi. Ne armëmbajtësit, e kam fjalën në radhë të parë gjuetarët, jemi ne ata që e dimë se sa e vështirë është dhe sa barrë është për një pronar armësh. Shteti ka të drejtë kur nxjerr disa dispozita dhe akte të caktuara dhe rregulloret që e rregullojnë këtë çështje.
Qeveria propozoi gjithashtu një moratorium dy-vjeçar për dhënien e lejeve të reja për armët dhe një rishikim të lejeve ekzistuese brenda tre muajve të ardhshëm. Gjithashtu ka kërkuar që të ndalohen potencialisht telefonat celularë në shkolla dhe vendosjen e rregullave të reja në mediat sociale që synojnë veçanërisht përmbajtjen që mund të dëmtojë seriozisht zhvillimin fizik, mendor ose moral të të miturve.
/a.r