Zbardhet dosja hetimore në lidhje me arrestimin e Milena Derajt, ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë, e cila akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen, ku tregohet se si përmes mashtrimit, e reja I kishte marrë disa personave shuma të mëdha eurosh. Rasti i parë bën fjalë për një shumë që Deraj ka marrë, konkretisht 340 mijë euro, ku një pjesë të tyre, ajo e ka përdorur për të investuar për një shtëpi në Salari në Tepelenës.
Ndërkohë, shtetases Elira Shyti pretendohet se Deraj i ka marrë 250 mijë euro, me prentendimin se do t’i investonte në bono thesari dhe se do të përfitonte shuma të larta me interesa. Por mësohet se ish-punonjësja e BSH-së i ka kthyer vetëm 5 mijë euro Shytit.
“Nga veprimet hetimore na rezulton se kjo shtetase ka mashtruar më shume se një herë shtetas të ndryshëm, në shuma të mëdha parash. Ditën e sotme, është paraqitur shtetasja Milena Deraj pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës ku ka kallëzuar se është kërcënuar nga shtetasit Abedin dhe Shyqyri Ferracaku, të cilëve i kishte marrë një shumë prej 340 mijë euro për t’i ndihmuar në një çështje gjyqësore në prokurorinë e Shkodrës, por pasi ka marrë këtë shumë parash, ka investuar një pjesë të tyre në një shtëpi në fshatin Salari në Tepelenë, duke mos jua kthyer më këto para. Po ashtu një tjetër shtetase, Elira Shyti, person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por dhe e pranishme gjatë zhvillimit të ngjarjeve, e cila ka kallëzuar se Deraj e ka mashtruar atë në shumë prej 250 mijë euro, me prentendimin se do t’i investonte në bono thesari dhe se do të përfitonte shuma të larta me interesa. Por në fakt në total Milena i ka dhënë një shumë prej 5 mijë eurosh, e më pas pjesën tjetër të parave nuk ja ka kthyer më, por as duke përmbushur qëllimin për të cilin kishte marrë paratë.”, thuhet në dosjen hetimore.
Kujtojmë se gjykata e Tiranës caktoi masën ‘arrest me burg’ për Derajn, e cila deklaroi në sallën e gjyqit se ishte marrë peng dhe kërcënuar nga 4 banda.