Kryeministri Edi Rama ka vijuar me turin e falënderimeve pas zgjedhjeve vendore, ku PS arriti një rezultat të thellë. Kësaj radhe, Rama u ndal në Durrës, ndërsa tha se rezultati i 14 majit ishte historik për Partinë Socialiste. Por, nga ana tjetër, Rama tha se kjo është një barrë shumë e madhe që qytetarët iu kanë dhënë për të çuar përpara zhvillimin e vendit.
“Arritëm të marrim rezultat historik për partinë sepse për herë të parë pas 20 vjetësh PS është forcë e parë në Këshillin bashkiak të Durrësit dhe në shumë vende të tjera, jemi bërë forcë e parë në Këshillin bashkiak edhe në Shkodër e Tropojë. Kjo është një barrë shumë e madhe.
Fakti që ne marrim rezultatin më të mirë historik në zgjedhjet vendore, është shprehje e një pritshmëri shumë të madhe, por jo e një kënaqësie të madhe të njerëzve me punën tonë, njerëzit na mbështesin, por presin akoma më shumë. Do ishte gabim që ta merrnim këtë votë si kënaqësi. Jemi zgjedhja e tyre më e mirë.
Nuk do të thotë që janë të kënaqur me ne, se ka shumë gjera që ne mund t’i bëjmë më mirë. Siç e patë, kjo fushatë ishte sa lokale edhe kombëtare. Është e rëndësishme që të kuptojmë që njerëzve i kemi hyrë në borxh të madh, duke i kërkuar të na votojnë ne sepse vetëm me ne shkohet përpara dhe kemi marrë një sfidë shumë të madhe”, tha Rama./m.j