Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me deklaratën e Ramës se sipas një sondazhi të bërë 11% e shqiptarëve duan të vijnë në PS, ndërsa në PD vetëm 6 %. Basha shkruan në rrjetin social se sondazhet e Ramës bëhen nëpër salla të mbyllura me punonjës administrate. Sipas liderit të opozitës, nëse sondazhet do të ishin realiste, atëherë Kryeministrit nuk do t’i duhej Armando Prenga, apo Shullazi.
“Sondazhet në salla të mbyllura me punonjës të administratës i paskan dalë mirë Ramës.
Vetëm se jashtë këtyre sallave, në Shqipërinë e vërtetë, në realitetin e përditshëm të njerëzve puna është pak ndryshe.
Nuk ka sot një shqiptar te vetëm, jashtë sallës me regji, që nuk është mashtruar nga Edi Rama, që nuk e ka pësuar pas shpine prej tij.
Shqipëria është sot vendi më i varfër në Europë që sundohet nga qeveria më e pasur. Me një kryeministër që erdhi në pushtet me banda e kriminelë, e mbështetet dhe sot tek ata.
Po nëse sondazhet i dalin mirë, pse i duhet Armando Prenga me pistoletë pa leje që pasi la të plagosur burrat e një fisi brenda në komisariat vjen me vrap të votojë hajdutin ahmetaj dhe milvën e vilmës, pse i duhen trafikantët, pse i duhet bushi, roshi, ndoka.
Nëse sondazhet i dalin mirë pse nuk e lë të gërhasë administatorin e gjysëm toni drogë por e do të lire, në aksion. Po cubi pse i duhet. Pse i duhet Kokëdhima. Pse i duhen habilajt. Pse i duhet hakmarrja për drejtësi.
Nëse sondazhet i dalin mirë, pse Shullazi kalon në doganë pa u regjistruar, dhe ka në dispozicion forcat speciale të policisë.
Nëse sondazhet i dalin mirë, pse nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme. Por fut dorën në çdo kuti, kërcënon votuesit, dhunime që sjanë parë prej vitesh, sic e tregoi raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it.
E kundërta është e vërtetë. Çdo sondazh e nxjerr atë në rënie, në pikiatë pa kthim. Dhe shqiptarët mezi po presin ditën e ballafaqimit për tia treguar këtë të vërtetë me votë.”- shkruan Basha.