Avionët rusë kanë intensifikuar sulmet ajrore në Siri kundër pikave të grumbullimit të rebelëve, disa orë përpara hyrjes në fuqi të armëpushimit të rënë dakord me Shtetet e Bashkuara.
Rusia ka deklaruar se ka vazhduar të bombardojë grupe terroriste në disa pjesë të Sirisë. Ndërkohë, thuajse 100 fraksione rebelësh kanë rënë dakord për të respektuar armëpushimin, ka deklaruar grupi kryesor i opozitës siriane.
Komiteti i Lartë i Negociatave ka deklaruar se, fraksione të Ushtrisë Çlirimtare Siriane dhe opozita e armatosur kanë firmosur armëpushimin, që do të hyjë në fuqi menjëherë pas mesnate.
Ndalimi i përkohshëm i akteve armiqësore përfshin regjimin e presidentit Bashar al Assad dhe grupet rebele, por jo Shtetin Islamik dhe Frontin Al Nusra, i lidhur me Al Kaedën.
Disa orë para mesnatës, Komiteti i Lartë i Negociatave i ka bërë thirrje regjimit sirian dhe aleatëve të tij që të mos e përdorin kohën e mbetur si pretekst për të vijuar operacionet ushtarake kundër fraksioneve të opozitës.
Por gjatë natës, sulmet ajrore ruse rezulton të kenë qenë më intensive se zakonisht. Ato kanë goditur bastionet e rebelëve në lokalitetin e Ghoutës Lindore, në lindje të Damaskut, në veri të provincës së Homsit dhe në perëndim të asaj të Alepos, ka deklaruar Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.