Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) ndaloi me iniciativë punonjësin e Policisë së Shtetit, Inspektor Dritan Nano me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Skrapar. Ai dyshohet për veprën penale “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndalimi u krye pas denoncimit të një gazetareje, se në qytetin e Çorovodës ky shtetas shiste armë, kundrejt vlerës monetare prej 50 mijë lekësh. Pas verifikimeve të kryera nga AMP, janë administruar aktet proceduriale si dhe prova materiale, 1 armë zjarri luftarake e fabrikuar, e llojit automatik.
Materialet proceduriale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
/s.f