Çdo ish-pronari do i kthehet prona siç e ka pasur në momentin kur i është konfiskuar nga shteti, nëse ajo pronë do jetë e lirë. Këtë parashikojnë dy vendimet më të fundit për kompensimin e pronave të miratuara këtë të mërkurë nga Këshilli i Ministrave.
Tashmë procesi i njohjes së pronës dhe i shpërblimit financiar nuk do të ketë më asnjë pengesë ligjore. Për ata ish-pronarë, prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo do përdoret për interes publik, janë parashikuar shpërblime financiare.
Sipas të dhënave, 26 900 personave u është njohur e drejta e kompensimit të pronës. Për rreth 20 mijë prej tyre është bërë vlerësimi financiar, nga të cilët deri 974 janë kompensuar.
Me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, do të nisë edhe kompensimi për pjesën tjetër.
Për reth 7000 dosjet që kanë mbetur të patrajtuara për shkak të mbarimit të afatit të ligjit të vitit 2015, ish-pronarët duhet t’i ridepozitojnë këto dosje në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të nisur me procesin e njohjes apo kompensimit financiar.
Vendimet më të fundit konsolidojnë skemën e kompensimit të pronave në Shqipëri, që vijnë edhe si pasojë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Strasburgut.
/s.f